Secondary Adv

Qeveria nuk permbush planin per investimet publike: Vetem 872 projekte nga 2252

Qeveria kishte programuar të financonte nga fondet e buxhetit 2020 për investime rreth 2252 projekte gjatë gjithë vitit, por deri në korrik janë financuar vetëm 872 prej tyre.  

 

Qeveria kishte programuar të financonte nga fondet e buxhetit 2020 për investime rreth 2252 projekte përgjatë gjithë vitit, por deri në korrik janë financuar vetëm 872 prej tyre ose 38.7 për qind e totalit të projekteve të planifikuara, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave të publikuara nga Drejtoria e Thesarit. Nga fondi i vënë në dispozicion janë shpenzuar 37.7 miliardë lekë përgjatë 7-mujorit, teksa ka mbetur pa u përdorur ende, rreth 60 për qind e fondit total. Siç shihet nga të dhënat e 7-mujorit shpenzimet buxhetore për investime publik do të ndjekin rutinën e përvitshme duke përqendruar disbursimet në fund të vitit, edhe pse në ligjin organik të buxhetit janë miratuar një sërë kufizimesh që adresojnë përdorimin e njëtrajtshëm gjatë gjithë vitit.

 

Nga të dhënat e detajuara disbursimet kanë pasur ecuri më të mirë për investimet në infrastrukturën rrugorë dhe në financimin e kontratave koncesioneve në rrugë dhe përpunimin e mbetjeve, ndërsa dobësitë janë vënë re ne disbursimin e fondeve dedikuar investimeve në energji, ujësjellës, shkolla, furnizime për sistemin gjyqësor dhe disa projekte që po zbatohen nga fondi i zhvillimit. Qeveria ka ndryshuar tre herë buxhetin e vitit 2020 për shkak të emergjencës që krijoi pandemia në Covid-19 në uljen e të ardhurave dhe rritjen e shpenzimeve. 

 

Gjatë rishikimeve, shpenzimet buxhetore për investime u rriten me 7% duke arritur vlerën e 87.8 miliardë lekëve nga 81.6 miliardë lekë që ishin në fillim të vitit, por nëdatabazën e thesarit e cila tashmëështë publike, projektet e investimeve të programuara për financimin kapin një vlerë prej 96 miliardë lekësh. Mos rakordimi i fondeve nga plani në thesar është vënë në dukje edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe nga Drejtoria e Brendshme e Auditit të Qeverisë pranë Ministrisë së Financave. Në një raport të posaçëm për vitin 2019, auditorët e qeverisë dolën me konkluzionin se treguesi “Realizimi i shpenzimeve kapitale” paraqet devijimin të madh nga plani i miratuar në ligjin e buxhetit vjetor në Kuvend”.

 

Burime nga Drejtoria e Thesarit në Ministrinë e Financave shpjeguan se realizimi i investimeve publike cenohet nga autoritetet kontraktuese që ndryshojnë destinacionin e fondeve nga një projekt në një tjetër. Shpesh projekti i ri ka nevoja më të mëdha për financime dhe bëhet shkak për akumulim detyrimesh. Problematik mbetet fakti se 70% e fondeve për investime apo mirëmbajtje alokohet në dy muajt e fundit, teksa autoritetet kontraktore vuajnë nga një nivel i ulët menaxhimi, shpjegoi burimi nga Drejtoria e Thesarit./Burimi: Monitor


Më të lexuarat