317.5 milione leke per shtate projekte qe nisin para zgjedhjeve
Qeveria vendosi të financojë shtatë projekte që kushtojnë rreth 317.5 milionë lekë dhe urdhëron nisjen e punimeve brenda tremujorit të dytë të vitit 2015.
Sipas njoftimit, Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve bëri shpërndarjen e fondeve për projekte për programin “Infrastrukturë vendore dhe rajonale”, thirrja III, pjesë e fondit për vitin 2015.
Lezhë - Qarku Lezhë përfaqësohet me një projekt për zgjerimin e urës së lumit Drin me vlerë 64.1 milionë lekë, që zbatohet nga Bashkia Lezhë. Shkodër - Ndërkaq, në Shkodër, i jepen paratë Fondit Shqiptar për Zhvillim që të arredojë infrastrukturën e zonës informale të lagjes “Mark Lula” në Shkodër. Zbatimi i projektit kushton 14 milionë lekë. Gjirokastër - Po ky fond do të bëjë rikonstruksionin e sheshit të fshatit Asim Zeneli në Gjirokastër, me vlerë 19 milionë lekë. Librazhd -Një projekt tjetër është rikonstruksioni i rrugës Librazhd – Orenjë që kushton 21 milionë lekë. Vlorë - Ndërsa ndërtimi i rrugës së Bishanit në Komunën Levan kap vlerën mbi 61 milionë lekë. Laç - Po nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të ndërtohet edhe rruga Sanxhak – superstradë në Laç, me vlerë 70 milionë lekë. Lushnje - Ndërsa, Bashkia Lushnjë përfiton projektin e rikonstruksionit të lagjes “18 Tetori”, me vlerë 64 milionë lekë.
Vendimi Sipas vendimit, të gjitha njësitë e qeverisjes qendrore e vendore, si dhe institucionet e organizatat për zhvillim, agjencitë zbatuese e zhvillimore, qendrore e vendore, projektet e të cilave miratohen për t’u financuar, brenda një jave nga data e publikimit të tij në Fletoren Zyrtare, duhet të paraqesin në sekretariatin teknik, pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban, kalendarin me të gjitha afatet e parashikuara për fazat e prokurimit publik dhe të zbatimit të punimeve të ndërtimit e përdorimit të fondeve, si dhe emrin e personit përgjegjës për ndjekjen e zbatimit të punimeve.
Autoritetet kontraktuese për projektet duhet të kryejnë procedurat e prokurimit publik dhe të lidhjes së kontratës përkatëse për zbatimin e punimeve të ndërtimit deri në fillim të tremujorit të dytë të vitit 2015. “Për fondet e projekteve të paprokuruara sipas këtij afati, Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve ka të drejtën të rishqyrtojë financimin dhe t’i rishpërndajë ato për një projekt tjetër”, theksohet në vendim.
Gjithashtu, ky komitet ka bërë thirrje për aplikim projektesh në tri programe të tjera. Për programin “Shqipëria dixhitale”, afati i dorëzimit të propozimeve është 25 maj 2015, për programin “Arsimi i lartë”. Është vendosur afati 15 qershor dhe për projektet “Art kulturë” pranohen aplikime deri më 15 qershor 2015.