Secondary Adv

Ndertimi ne stanjacion: Kompanite luhajtje te medha, sektori rezidencial ne lulezim

PBB në sektorin e ndërtimit, në vitin 2019, ishte rreth 146 mld lekë, duke shënuar tkurrje të lehtë për herë të parë që nga 2014, kur ky sektor kishte nisur sërish ciklin rritës.

 

Pesha e ndërtimit ndaj PBB-së në total u ul me 0.3 pikë përqindje, në 8.7%. Me përjashtim të tremujorit të parë, kontributi i ndërtimit në rritjen ekonomike ishte negativ, duke kulmuar në të katërtin. Kjo ecuri u lidh kryesisht me ngadalësimin e aktivitetit të sipërmarrjeve të lidhura me gazsjellësin TAP, si dhe me tërmetin me pasoja shkatërruese të 26 nëntorit. Në rënie ishte qarkullimi i disa kompanive të përfshira në projektet industriale në ndërtimin e rrugëve e të tjera. Edhe shpenzimet kapitale të buxhetit u tkurrën me rreth 4.3% me bazë vjetore në vitin 2019.

 

Ecuri më pozitive kishin sipërmarrjet e përqendruara në sektorin rezidencial, ndonëse ritmet e rritjes janë të ngadalësuara në krahasim me vitin 2017, kur kulmuan shumë prej tyre. Në të njëjtën linjë, me rritje rezultuan shoqëritë që tregtojnë materiale ndërtimi (kryesisht hidrosanitare). Qarkullimi vjetor i kompanive të ndërtimit, ose të lidhura me to, të renditura në “Monitor 200”, shënoi rënie prej gati 7% me bazë vjetore. Subjektet e ndërtimit kanë luhatje të mëdha të aktivitetit, në varësi të projekteve inxhinierike ku janë të përfshira, apo të ciklit të shitjes së apartamenteve. 

 

Sektori rezidencial

Në vitin 2017, kompanitë e përqendruara në ndërtimin e projekteve rezidenciale përjetuan një lulëzim të vërtetë, me rritje dy apo dhe treshifrore, e nxitur dhe nga shtimi i lejeve të ndërtimit në kryeqytet. Kjo tendencë nuk zgjati shumë. Në vitin 2018, ndërtuesit më të mëdhenj të apartamenteve panë rënie të qarkullimit vjetor, ose stanjacion. Ndërsa në vitin 2019, rritja ka rifilluar për disa, ndonëse jo me ritmet e 2017-s. Të tjera kanë vijuar tkurrjen. Përkundrejt tendencës tkurrëse të popullsisë dhe rritjes së ngadaltë të të ardhurave zyrtare, sektori i ndërtimit rezidencial po vijon aktivitetin, sidomos në kryeqytet. 

 

Në vitin 2019, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit arriti nivel rekord të dekadës së fundit. Ndonëse kërkesa nuk duket se premton shumë, kompanitë e ndërtimit nuk tërhiqen, sidomos në kryeqytet. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2019, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi ishte rreth 1.5 milionë m2, me një rritje prej 55% në raport me vitin e mëparshëm dhe niveli më i lartë të paktën që nga viti 2012.

 

Në kryeqytet ka filluar ndërtimi i një sërë kullave, si “Down Town” tek ish 7 Xhuxhat, një kullë me 40 kate. “Book Building” po ndërtohet pas Sahatit dhe sipas lejes zhvillimore, është godinë shumëfunksionale 4, 5, 11 dhe 21 kate. “MET Building Tirana”, pranë Hotel Dajtit, do të jetë një kullë 12-katëshe. “Syri i Tiranës” po ndërtohet në pikëlidhjen mes Rrugës së Kavajës dhe asaj të Durrësit. Ndërkohë, që në qendër, kanë nisur punën shumë projekte luksoze apo kulla, çmimet e tyre arrijnë deri në 4 mijë euro/m², më të shtrenjtat në rajon./Burimi: Monitor


Më të lexuarat