Secondary Adv

Ndryshon skema e pensioneve per akademiket

 

Qeveria ka vendosur të ndryshojë skemën dhe llogaritjen e pensioneve shtetërore për punonjësit e universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Shqipëri.


Në Kuvend është depozituar një projektligj, i cili ndryshon masën e kontributeve që duhet të paguajnë punonjësit e universiteteve. Drafti parashikon rritjen e masës së kontributeve për punonjësit e universiteteve publike nga 3.5 % e pagës referuese në 5 %.


Ligji ekzistues
Ligji ekzistues e përcaktonte masën e kontributit për personat me tituj shkencorë të punësuar në institucionet publike në masën 3.5% të pagës referuese dhe për personat e punësuar në institucionet private në masën 7% të pagës referuese. Ndërkohë që masa e përfitimit ka qenë pak a shumë e njëjtë. Në këto kushte, masa e kontributit është caktuar 5 % e pagës referuese.
“Kjo masë sjell edhe rritje të lehtë të të ardhurave të skemës në masën 5 milionë lekë në vit. Gjithashtu, parashikohet një harmonizim më i mirë dhe i njësuar i të drejtave nga sigurimi suplementar i të gjithë personave me tituj shkencorë pavarësisht faktit nëse punojnë në institucionet publike apo private.


Dispozitat e propozuara respektojnë Kushtetutën dhe parimet e saj. Gjithashtu, ato respektojnë dhe zhvillojnë të drejtat e fituara në koherencë me zhvillimet ekonomike e financiare të vendit. Këto dispozita respektojnë parimet buxhetore të financimit të shpenzimeve të përcaktuara në ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë si edhe të dispozitave ligjore në fushën e administrimit financiar dhe kontrollit”, thuhet në relacion. Gjithashtu, projektligji parashikon dhe masa të tjera që do të ndikojnë në harmonizimin e të ardhurave personale të përfituesve me legjislacionin në fuqi.


Ndryshimet
Në nenin 1 të këtij projektligji, i cili i referohet nenit 2, të ligjit në fuqi, është shtuar një pikë e re e cila ngarkon Këshillin e Ministrave të përcaktojë se në cilat institucione jopublike punësimi i personave me tituj shkencorë do të njihet si periudhë e ushtrimit të titullit. Liberalizimi ekonomik e institucional ka shpënë në krijimin e shumë institucioneve jopublike që pretendojnë që personat e punësuar pranë tyre të përfshihen në këtë skemë suplementare.


Gjithashtu, në këtë nen është riformuluar edhe një pikë tjetër ku është saktësuar përkufizimi i pagës referuese duke e përcaktuar atë si paga bazë për titullin në institucionet publike. Kjo është bërë për arsye se në disa institucione jopublike që janë ose pretendojnë të jenë pjesë e skemës, pagat janë shumë më të larta se në institucionet publike, çka do të çonte në një çrregullim të financave të skemës.


Më të lexuarat