Sigurimi i mjeteve- AMF: Ja qytetet me perqindjen me te larte te demeve
Gjasat që një kompani sigurimesh të pësojë një dëm nga sigurimi i detyrueshëm motorrik janë më të larta në Tiranë, ndërsa më të ulëtat në Dibër.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se vitin e kaluar qarku i Tiranës kishte raportin më të lartë mes dëmeve të ndodhura dhe kontratave të sigurimit në sigurimin e detyrueshëm për përgjegjësitë motorrike ndaj palëve të treta. Për Tiranën ky raport është afërsisht 3.1%, nga rreth 2.35% që është mesatarja kombëtare. Pas Tiranës, raporti më i lartë mes dëmeve dhe kontratave është në qarkun e Durrësit, me 2.76% dhe atë të Vlorës, me 2.4%. Qarqet e tjerë qëndrojnë ndjeshëm poshtë mesatares kombëtare. Raportin më të ulët mes numrit të dëmeve dhe primeve e ka Dibra, me 0.92% dhe Berati me 1%.
Edhe po të shohim raportin mes dëmeve dhe primeve për të njëjtin produkt, sërish Tirana është e para me 32.8%, e ndjekur nga Durrësi me 30.7%. Në qarkun e Tiranës, që përfshin kryeqytetin dhe zona të tjera me intensitet të lartë lëvizjeje, duket se gjasat për të pasur dëme nga sigurimet motorrike janë shumë më të mëdha nga sa mund të jenë në Dibër, Berat apo Kukës. Por, pavarësisht nga kjo primi i sigurimit që paguajnë drejtuesit e mjeteve është i njëjtë, pavarësisht nga vendndodhja. Kompanitë e sigurimeve në vend refuzojnë të zbatojnë një sistem bonus-malus në këtë produkt, megjithëse në mars të vitit të kaluar kishin rënë dakord me një udhëzim të miratuar nga AMF për këtë qëllim.
Ky sistem parashikonte prime më të ulëta për drejtuesit që nuk do të shkaktonin dëme në vitin paraardhës, ndërsa penalizonte ata drejtues mjetesh që kishin shkaktuar dëme, me prime më të larta. Udhëzimi parashikonte gjithashtu që kompanitë e sigurimit mund të përdornin edhe faktorë të tjerë në sistemin e llogaritjes së primit, në varësi të elementeve të veçantë të rrezikut. Zona ku qarkullon mjet mund të ishte një nga këta elementë, sepse raporti i dëmeve sipas qarqeve vë në dukje diferenca të konsiderueshme mes zonave të ndryshme të vendit. Por, duket se siguruesit ndjehen më komodë me një treg primesh pothuajse të unifikuar dhe ku diferencat mes kompanive janë minimale.
Policat e sigurimit TPL prej vitesh lëshohen në emër të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve dhe emri i kompanisë përgjegjëse vetëm printohet në policë, sipas zgjedhjes së klientit. Ligjërisht, Byroja e Sigurimeve ka detyrë të administrojë sistemin e Kartonit Jeshil dhe Fondin e Kompensimit për dëmet nga mjetet e pasiguruara, ndërsa nuk ka të drejtë të lëshojë polica të sigurimit të brendshëm TPL, qoftë edhe në përgjegjësinë e kompanive të veçanta. Kjo praktikë ka elemente të qartë karteli, me qëllim mbajtjen në kontroll të çmimeve dhe është kritikuar nga Autoriteti i Konkurrencës, ndërsa Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nuk e ka parë të arsyeshme ta ndalojë./Burimi: Monitor