Secondary Adv

Demet e termetit: Kompanite e sigurimit qe paguan faturen me te kripur

Albsig është kompania që ka paguar faturën më të kripur nga tërmeti i fundit të vitit të kaluar.

 

Të dhënat e AMF tregojnë se tërmeti ka sjellë një rritje me tre herë të vlerës së dëmeve të paguara në sigurimin nga fatkeqësitë natyrore. Për tetë muaj, kompanitë e sigurimeve kanë paguar 2.44 miliardë lekë dëme. Pothuajse 39% e tyre, rreth 946 milionë lekë, janë paguar nga Albsig. Albsig është njëkohësisht kompania që ka pësuar rritjen më të fortë të dëmeve, me pothuajse 50 herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Duke pasur parasysh kulturën e ulët të sigurimit vullnetar në Shqipëri, pjesa më e madhe e dëmeve të lidhura me tërmetin e nëntorit 2019 lidheshin me sigurimin e kolateralit në favor të institucioneve të kredidhënies.

 

Rrjedhimisht, pjesa e lartë e Albsig në dëme i detyrohet kryesisht dominimit që kjo kompani ka pasur në policat e sigurimit të pronës të shitura përmes bankave tregtare. Duke iu referuar AMF-së, vlerësohet se vetëm 2.5% e numrit të përgjithshëm të banesave në Shqipëri janë të siguruara. Pas Albsig, peshën më të lartë të dëmeve nga sigurimi i fatkeqësive për 8-mujorin e parë e regjistroi Sigal Uniqa Group Austria, me 25.7% dhe Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group, me 12.4%. Albsig, Sigal dhe SIVIG kanë paguar së bashku rreth 77% të dëmeve totale të lidhura me tërmetin.

Sipas të dhënave nga AMF, totali i kërkesave për dëmshpërblime nga tërmeti arriti në rreth 4.1 miliardë lekë ose afërsisht 33 milionë euro. Për tetë muajt e parë të këtij viti dhe për dhjetorin e vitit të kaluar kompanitë e sigurimeve kanë paguar rreth 22.5 milionë euro në klasën e sigurimit të fatkeqësive dhe besohet që pjesa dërrmues ee tyre janë të lidhura me tërmetin e muajit nëntor 2019. Megjithatë, sipas AMF-së, rreth 90% e vlerës totale të dëmeve janë detyrime të risiguruesve./Burimi: Monitor


Më të lexuarat