Blerja e valutes: Banka e Shqiperise anullon ankandet per vitin 2020
Banka e Shqipërisë ka anulluar ankandet e blerjes së valutës për këtë vit.
Në informacioin periodik për ndërhyrjet në tregun e parasë, Banka e Shqipërisë bën të ditur se ky vendim është marrë nga Komitetit i Zbatimit dhe Këshillimit të Politikës Monetare, më datë 31 mars të këtij viti. Ndonëse Banka e Shqipërisë nuk ka dhënë ndonjë arsyetim zyrtar lidhur me këtë vendim, pezullimi i blerjeve të valutës mund të jetë bërë për të mos ushtruar presione mbiçmuese mbi kursin e këmbimit të euros. Banka qendrore kishte planifikuar gjithsej 15 ankande për blerje valute që nga muaji prill deri në fund të vitit. Parashikimi total për blerje në raundin e parë ishte në intervalin mes 60 dhe 90 milionë eurove.
Megjithatë, shifra është indikative, sepse zakonisht në këto ankande aplikohet edhe opsioni i blerjeve në një raund të dytë. Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë bleu gjithsej 154.6 milionë euro, në programin e ankandeve për nevojat e rezervës valutore. Ndërsa këtë vit Banka e Shqipërisë ka zhvilluar vetëm dy ankande, gjatë tremujorit të parë, ku u ble një shumë totale prej 13.7 milionë eurosh. Megjithatë, pezullimi i ankandeve duke filluar nga muaji prill është kompensuar me një blerje valute në shumën e 49 milionë eurove nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Prej viti 2015, Banka e Shqipërisë ka rritur ndjeshëm blerjet e valutës, me qëllim kryesor zgjerimin e rezervës së saj valutore. Në fund të muajit gusht 2020, rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë kishte vlerën e 4.075 miliardë eurove.
Rezerva valutore ka si qëllim kryesor plotësimin e nevojave emergjente të ekonomisë me valutë të huaj, por edhe ndërhyrjet e përkohshme për të amortizuar luhatjet që mund të cënojnë stabilitetin financiar. Banka e Shqipërisë shiti 20.4 milionë euro në fund të muajit mars për të ndalur zhvlerësimin e shpejtë të lekut kundrejt euros, pasi shpërthimi i epidemisë së Covid-19 shkaktoi një lloj paniku në tregun valutor. Rritja graduale e rezervës valutore ka nisur që prej vitit 2013, me këshillimin e institucioneve ndërkombëtare, si një masë për të forcuar garancitë rreth stabilitetit financiar të vendit. Shkalla e lartë e euroizimit e bën ekonominë shqiptare veçanërisht të ekspozuar ndaj luhatjeve të forta në kursin e këmbimit valutor./Burimi: Monitor