
Kerkime per nafte ne Shqiperi, qeveria hap garen e koncesioneve per 7 blloqe
Nisin procedurat për shitjen e shtatë blloqeve të lira të kërkimit për naftë dhe gaz. Me urdhër të ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore shpalli dje hapjen e aplikimeve për kompanitë e interesuara.
Blloqet e para hidrokarbure
Për tre blloqet e para hidrokarbure, ata me numër 4 dhe 5 si dhe bllokun e Dumresë, afati i dorëzimit të ofertave nga kompanitë private është 15 qershori i këtij viti. Dhjetë ditë më vonë përfundon afati i ofertave edhe për 4 zona të tjera, Joni 5 në det, atë të Rodonit, Panajasë dhe bllokut C.
Deri më tani, zonat hidrokarbure ishin nën administrimin e Albpetrol dhe ka qenë kjo kompani që i ka transferuar ato tek privatët përmes negociatave të drejtpërdrejta. Me ndryshimin e ligjit qeveria thotë se blloqet e reja do t’i nënshtrohen garës në një proces të hapur dhe fituesi do të zgjidhet përmes kritereve të paracaktuara.
Pas përfundimit të procesit, marrëveshja me kompaninë e përzgjedhur fituese do të negociohet dhe nënshkruhet nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore. Përmes riaktivizimit të kërkimeve hidrokarbure, qeveria shpreson të tërheqë kapital nga jashtë për të ndihmuar ekonominë, edhe pse industria e naftës gjendet në një moment të vështirë.
Rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ka goditur dukshëm investimet në këtë sektor, jo vetëm në kërkim, por edhe shfrytëzimin e burimeve ekzistuese. Disa nga kompanitë që shfrytëzojnë vendburimet e naftës në Shqipëri kanë njoftuar shkurtim të investimeve për të kompensuar rënien e të ardhurave.Por përtej konjukturës së rënduar globale, hidrokarburet mbeten një nga sektorët që vazhdojnë të thithin pjesën më të madhe të investimeve nga jashtë dhe që mbajnë peshën kryesore në eksportet kombëtare.
Periudha e eksplorimit
Kohëzgjatja e periudhës së eksplorimit është deri në 5 vjet dhe mund të zgjatet deri në 7 vjet në përputhje me ligjin për hidrokarburet. Periudha është e ndarë në tri faza, me detyrimet e punës dhe angazhimet financiare për secilën prej tyre.
Kontraktori nuk mund të ndjekë fazën e mëvonshme, pa përfundimin e punës së planifikuar dhe shlyerjen e detyrimeve financiare. Në rast të zbulimit të vendburimit të naftës dhe gazit, periudha për zhvillimin e zonës dhe prodhimin do të jetë 25 vjet dhe mund të zgjatet më tej sipas ligjit për hidrokarburet.
Kontraktori do të ketë të drejtë të marrë dhe të mbajë jashtë vendit të ardhurat nga shitjet e naftës, të eksportojë në masën që është e nevojshme për kompensimin e kostos së monedhës lokale në Shqipëri.
Kompanitë e interesuara duhet të paguajnë një bonus, shuma e të cilit është pjesë e negociatave paraprake. Sipas AKBN, nuk ka asnjë tarifë për aplikimin.
Sipas ligjit për hidrokarburet, marrëveshja e ndarjes së prodhimit të naftës parashikon rimëkëmbjen e kostove të kontratës nga të ardhurat në zonën e koncesionit ose nga një pjesë proporcionale e saj, gjithashtu përfshin ndarjen mes shtetit dhe kontraktorit të bilancit të naftës së mbetur pas llogaritjes së kostos në përputhje me formulën që përcakton Marrëveshja e Hidrokarbureve.
Më të lexuarat








