
Ja cfare do te ofroje bregdeti Shqipetar kete vit per turistet
Për sezonin turistik veror, Agjencia Kombëtare e Bregdetit (AKB) do të angazhojë rreth 300 punonjës, të cilët do të kenë për detyrë pastrimin e plazheve, duke filluar punën javën që vjen.
Këtë e bëri të ditur kreu i kësaj agjencie, Auron Tare, gjatë një konference të organizuar me përfaqësues të mediave. Qëllimi i kësaj konference ishte njohja me planin e përqasjes së pastrimit të bregdetit për këtë sezon turistik, në mënyrë që të rritet cilësia për pushuesit.
Për rrjedhojë vija bregdetare do të ndahet në 7 zona, të cilave do t’u përcaktohet një numër personeli dhe automjetesh, në varësi të madhësisë së plazheve, për të kryer pastrimin. Gjithashtu, pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (MZHETTS), do të ngrihet një grup i posaçëm, detyra e të cilit do të jetë vënia në pah e problematikave të ndryshme gjatë sezonit turistik, si edhe zgjidhja e tyre.
Menaxhimi fitimprurës
Kreu i AKB-së u shpreh se hartimi i projektligjit për bregdetin është kryer në bashkëpunim me ekspertë të huaj të Konservatorit Bregdetar të Francës (Conservatoire Littoral). Në përgjithësi, si model është marrë ligji për bregdetin i Malit të Zi dhe Kroacisë. Me anë të këtij ligji, nëse miratohet, Tare nënvizoi se do të mundësohet menaxhimi më i mirë i vijës bregdetare duke sjellë nga 5 deri në 6 milionë euro të ardhura vjetore, nga përdorimi me efikasitet i zonës së rërës.
Vitin e kaluar të ardhurat e mbledhura nga shfrytëzimi i plazheve ishin vetëm 80 milionë lekë. Aktualisht, sipas legjislacionit aktual, zonat bregdetare menaxhohen nga komunat apo bashkitë ku ndodhen zonat në fjalë. Në prezantimin e paraqitur për problematikat e mundshme në menaxhimin e plazheve, e përgatitur nga AKB-ja, ishin dhënia me qira për një periudhë të shkurtër të zonës për plazh (vetëm një sezon), si edhe mënyra e ndarjes së zonave të bregdetit nga bashkia, të cilat ishin të shumta dhe me sipërfaqe relativisht të vogël.
Tare tha se këto dy piketa të vëna në pah nuk janë të favorshme për investitorët, pasi atyre u duhet të ngrenë edhe stacione plazhi, të cilat, sipas standardeve që duhet të përmbushin në bazë të legjislacionit, kushtojnë nga 50 deri në 60 mijë euro. Kështu, një nga propozimet për menaxhim nga ana e AKB-së është dhënia me qira e një zone për plazh për një periudhë 5-vjeçare me një sipërfaqe jo më të vogël se 5 000 m2. Nga ana tjetër, 20% e zonës së plazhit në një bashki apo komunë, sipas legjislacionit aktual, duhet të qëndrojë publike.
Ndryshimet në ligj
Kreu i AKB-së, Auron Tare, e cilësoi të nevojshëm ndryshimin në legjislacion që do t’i japë këtij institucioni kompetencat e nevojshme për të zbatuar masat menaxheriale në vijën bregdetare për të rritur rendimentin e cilësisë së turizmit dhe të ardhurat që do të mblidhen.
Gjithashtu, pritet që ky institucion të vetëfinancohet dhe është përllogaritur se, nëse gjithçka zbatohet me eficencë, fitimet nga rëra (plazhet në rërë) do të jenë 5 deri në 6 milionë euro. Aktualisht buxheti i AKB-së është 40 milionë lekë, që Tare e cilësoi të pamjaftueshëm për të ndërmarrë nismat në mirëmenaxhimin e bregdetit.
Sezoni veror
Nuk jemi larg sezonit veror dhe vija bregdetare shqiptare është ajo e cila përthith vizitorët më të shumtë, edhe pse i lakmueshëm në Shqipëri do të ishte edhe ai malor. Duket se vështirësia më e madhe, por edhe mundësia më e madhe për përthithje turistike është bregdeti.
Problematikat e shumta kërkojnë zgjidhje të shpejta dhe shumëplanëshe, për t’i bërë parapritë “dëbimit” të turistëve, të cilët nuk mund të mos jenë të vëmendshëm si për sa u përket problemeve infrastrukturore në vendin tonë, ashtu edhe atyre menaxheriale.
Kriteret për stacionet e plazheve në vijën bregdetare
• I domosdoshëm përcaktimi i pikave për ndryshimin e gjendjes në plazhet shqiptare, i cili përqendrohet në miradministrimin e hapësirës, po aq sa ç’përqendrohet edhe në aspektin e higjienës, kusht themelor për një pushim cilësor dhe të qetë.
• Të ketë hapësira të gjelbra ose zona të përbashkëta, të cilat të jenë të paktën 1% deri në 5% e sipërfaqes së përgjithshme të stacionit të plazhit.
• Çadrat dhe ndenjëset e pushuesve të vendosen jo më afër se 7.5 m nga bregu.
• Hapësira prej 2.5 m përpara brezit të parë të çadrave do të jetë e lirë për t’u përdorur nga publiku me pajisjet e veta.
• Hapësira midis çadrave (nga çadra në çadër) në stacionet e pozicionuara në zonat ranore duhet të jetë më e madhe se 2.5 m.
• Hapësira midis çadrave (nga çadra në çadër) në stacionet në zona shkëmbore duhet të jetë më e madhe se 2 m.
• Të ketë dushe me ujë të ëmbël për çdo 50 çadra.
• Të jetë e pajisur me shërbime higjienike, të paktën 2 për 50 çadra, nga të cilat 1 për burra, 1 për gra.
• Të ketë kabina zhveshjeje, të paktën 2 për 50 çadra.
• Të jetë i pajisur me zonën e ndihmës së shpejtë në shërbim të pushuesve.
• Të jetë i pajisur me telefon publik.
• Të jetë i pajisur me kontejnerë dhe kosha me kapak për hedhjen e mbeturinave.
• Çdo çadër duhet të jetë e pajisur me krevat plazhi.
• Të reklamohet identiteti i subjektit dhe çmimet për shërbimin e ofruar.
• Stafi që shërben pranë stacioneve të plazhit të ketë uniformë dalluese.
• Të zbatojë kodin e etikës globale në fushën e turizmit.
• Shërbimi për pastrimin dhe mirëmbajtjen e stacionit të plazhit do të jetë ditor, në mëngjes dhe në mbrëmje pas mbylljes së plazhit.
• Në të gjithë territorin e plazhit ndalohet vendosja e elementeve ndarëse, gardhe apo të tjerë të ngjashëm me to.
Nuk jemi larg sezonit veror dhe vija bregdetare shqiptare është ajo e cila përthith vizitorët më të shumtë, edhe pse i lakmueshëm në Shqipëri do të ishte edhe ai malor. Duket se vështirësia më e madhe, por edhe mundësia më e madhe për përthithje turistike është bregdeti.
Problematikat e shumta kërkojnë zgjidhje të shpejta dhe shumëplanëshe, për t’i bërë parapritë “dëbimit” të turistëve, të cilët nuk mund të mos jenë të vëmendshëm si për sa u përket problemeve infrastrukturore në vendin tonë, ashtu edhe atyre menaxheriale./Shekulli
Më të lexuarat








