
Kredite me probleme ende te qendrueshme: Ja kur priten efektet e Covid
Raporti i kredive me probleme rezultoi i qëndrueshëm në nivelin 8.1% edhe për muajin gusht.
Statistikat tregojnë se moratoriumi i pagesave dhe masat e përkohshme rregullatore të Bankës së Shqipërisë po e mbajnë këtë tregues të qëndrueshëm. Bankierët janë të mendimit se një ide më e qartë e efektit të krizës në cilësinë e portofolit të kredisë të sistemit do të krijohet vetëm pas fillimit të vitit të ardhshëm. Moratoriumi iu krijoi hapësira huamarrësve që u përballën me vështirësi nga kriza t’i shtynin këstet e kredive deri në fund të muajit gusht. Paralelisht, bankave nuk iu kërkohet provigjionim dhe riklasifikim i kredive për këtë periudhë. Duke pasur parasysh që koha e nevojshme që kreditë të klasifikohen si jo performuese është 90 ditë, gjasat për të pasur luhatje të mëdha të treguesit të kredive me probleme deri në fund të këtij viti do të jenë të pakta.
Bankieret presin që efektet e krizës së Covid-19 në kthimin e kredive do të fillojnë të reflektohen nga dhjetori (tre muaj pas gushtit që është muaji i fundit kur moratoriumi ishte në fuqi) dhe më pas përgjatë gjithë vitit të ardhshëm. “Bankat ende nuk kanë pësuar dëme të prekshme në kuptimin e cilësisë së portofolit të kredisë, edhe falë ndryshimeve rregullatore në kuadrin e moratoriumit të pagesave. Kjo masë evitoi krijimin e problemeve të likuiditetit për bizneset dhe familjet dhe, rrjedhimisht, edhe pasojat negative në portofolat e bankave.
Tani që moratorium ka përfunduar, duhet të fillojmë të kuptojmë, mbështetur në një analizë rast pas rasti, cilët kanë qenë kredimarrësit, që kanë pësuar pasoja serioze nga kriza. Por, për momentin, askush nuk mund të ketë një përgjigje të saktë për këtë”, ka pohuar në një intervistë të mëparshme për Monitor z.Silvio Pedrazzi, Kryetari i Shoqatës së Bankave dhe Drejtor i Përgjithshëm i Bankës “Intesa Sanpaolo Bank Albania”. Kredia paraqitet më cilësore në segmentin e individëve dhe veçanërisht në segmentin e kredive për blerje banese. Deri në mesin e këtij viti, raporti i kredive me probleme për individët ishte pranë nivelit 5%, ndërsa për bizneset ky raport ishte dy herë më i lartë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, vlerësohet se sektori bankar ka rreth 48 miliardë lekë kredi me probleme. Në vlerë, kjo shifër është 22% më e ulët krahasuar me një vit më parë. Rënia vjetore e stokut të kreidve me probleme u ndikua sidomos nga një përshpejtim i fshirjes së kredive të humbura në fund të vitit të kaluar. Kjo u ndikua kryesisht nga ndryshimet rregullative që ulën nga tre vjet në dy vjet maksimumin e kohës së qëndrimit në bilanc të kredive të klasifikuara si të humbura.
Gjithsej, që nga fillimi i procesit të fshirjes, në janar 2015 janë fshirë 65 miliardë lekë kredi të humbura. Kjo shumë është sa 140% e vlerës aktuale të kredive me probleme dhe jep një ide të qartë të ndikimit të madh që fshirjet kanë pasur në pastrimin e portofoleve të sektorit bankar. Por, megjithë fshirjet e konsiderueshme pesha e kredive të humbura në strukturën e kredive me probleme vazhdon të rritet. Në mesin e këtij viti kreditë e humbura përbënin 47.3% të kredive me probleme, nga 45% një vit më parë./Burimi: Monitor
Më të lexuarat








