Miratohet nga Keshilli Kombetar i Punes, ja sa behet paga minimale ne Shqiperi
Këshilli Kombëtar i Punës miraton rritjen e pages minimale në 30 mijë lekë të rinj. “Qeveria ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të zhvilluar dhe promovuar kulturën e dialogut sociale”, thuhet ndër të tjera në reagimin e KKP-së.
“Paga minimale në shkallë vendi, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik a fizik, vendas ose i huaj, propozohet të jetë 30.000 lekë në muaj nga 26.000 lekë në muaj që është caktuar me VKM nr.809 datë 26.12.2018, duke u rritur me 15.4 %“, tha ministrja e Financave Anila Denaj gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Punës duke shtuar se, “Paga minimale synon ruajtjen e nivelit të jetesës për të punësuarit si në sektorin privat dhe atë buxhetor”.
Ndërkohë, përmes një postimi në Facebook Denaj shprehet: “Detyra parësore e çdo qeverie është të sigurojë një nivel jetese sa më të mirë për qytetarët e saj. Çdo #punë që të quhet #dinjitoze duhet edhe të #paguhet në mënyrë dinjitoze. Ja pse, gjatë qeverisjes sonë kemi rritur pagat në mënyrë konstante edhe për të punësuarit në sektorin privat”