Se shpejti do ndertohen 3 porte turistike: Nis puna per 3 aeroporte te tjera
Kryeministri Edi Rama premtoi se vendit do t’i shtohen tre porte të reja turistike, që sipas tij, do të ndihmojnë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë detare.
I pari port, që sipas kryeministrit do të nisë së shpejti, është ai i Sarandës, për të cilin, Rama tha se kanë marrë një propozim fantastik. Ndërkohë, më tej do të ndërtohen edhe dy porte të tjera turistike, përkatësisht në Durrës dhe Vlorë. Më tej, kryeministri ripërsëriti edhe njëherë premtimin që aeroporti i Kukësit do të jetë funksional në pranverë. Kryeministri theksoi se përpos punës së përditshme në kantieret e infrastrukturës rrugore, projektet madhore të infrastrukturës portuale dhe aeroportuale janë përgatitur tashmë. “Krahas kantiereve të infrastrukturës rrugore, për të cilat ministrja do bëjë një raportim të detajuar, ne kemi kantieret e infrastrukturës portuale dhe aeroportuale, deri tani askush s’ka shkuar të shohë kantierin e Kukësit ku po punohet me orë të zgjatura për aeroportin e Kukësit ku përmbyllja e punimeve do të kërkojë edhe disa muaj.
Po punohet për Aeroportin e Vlorës, duke çarë shtegun e pandemisë, pasi është ndërprerë procesi i garës në pranverë nga gjendja e pandemisë dhe do të rihapet aty ku ka mbetur. Me të mbyllur garën për Vlorën jemi gati të lancojmë procesin për aeroportin e Sarandës për të cilin është bërë gati strategjia. Aeroporti i Sarandës është aeroporti i tretë, i cili në fakt do të fillojë punën i pari, është më i vogël, por me impakt të rëndësishëm për turizmin. Aeroporti i Vlorës është strategjik edhe në funksion të Sarandës. Besoj që me këto 4 aeroporte, Tiranë, Kukës, Vlorë dhe Sarandë hyjmë në një epokë të re të turizmit me impakt jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Kosovën.” sqaroi Kryeministri Rama.
“Do në fillojmë në javët në vijim procesin për spostimin, duke hedhur në garë ndërkombëtare Portin e ri të Durrësit, i cili do të zhvillohet në anën tjetër, aty ku është edhe plani i zonës së lirë ekonomike. Po kështu do të bëjmë edhe me Vlorën. Projekti me Lungomaren përfshin dhe një port turistik, që do të jetë aty për të krijuar një kanal të ri kontakti me Vlorën. Ndërkohë edhe për Vlorën jemi gati për një proces, ku do mund të sistemojmë me standarde bashkëkohore portin e shërbimeve në anën tjetër. Në pak javë do mund të fillojmë të japim gjithë autorizimet për fillimin e portit të tretë turistik, që do të jetë i pari që do të fillojë, në Sarandë. Për këtë kemi marrë një propozim fantastik dhe që ndryshon gjithë paradigmën e Sarandës. Kështu, Shqipëria do të hyjë në hartën e turizmit të detit, që ka munguar me dekada, në aspektin e ekonomisë së detit. Ne besojmë se aeroporti i Kukësit do të jetë funksional në pranverë,- u shpreh Rama./Burimi: Balkanweb