Rritja e infektimeve: Maqedonia e Veriut miraton masat e reja kufizuese
Në përpjekje për të kontrolluar valën e re të infektimeve, qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi një sërë masash të reja për të parandaluar përhapjen e Covid.
Të mërkurën, kanë hyrë në fuqi masat e reja kufizuese për mbrojtje nga koronavirusi, e që kryesisht kanë të bëjnë me transportin publik, punën e objekteve të gastronomisë dhe administratën publike. Vendimi i qeverisë parasheh që të gjitha lokalet dhe restorantet të punojnë deri në orën 23:00, transporti publik ta reduktojë në 50 për qind kapacitetin e pasagjerëve, ndërsa institucionet shtetërore dhe publike ta organizojnë punën e të punësuarve me turne, rotacion apo edhe punë nga shtëpia.
Qeveria ka lënë në fuqi edhe masën për mbajtjen e aktiviteteve sportive pa praninë e shikuesve. Ndërkohë, nuk ka ende marrëveshje mes partive për masat e tjera që kanë të bëjnë me mbajtjen e maskës në ambiente të hapura, ndalimin e grumbullimit të më shumë se katër personave pas orës 22:00, si dhe ndalimin e vizitave të më shumë personave nëpër familje. Shumica parlamentare ka kërkuar kohë për shqyrtimin e ligjit sepse ka pasur dilema për disa dispozita.
Nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE sqarojnë se kanë disa vërejtje të cilat pritet t’i diskutojnë në grup të posaçëm pune ku do të jenë edhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët para deputetëve të opozitës do të duhet të sqarojnë nevojën e miratimit të këtyre masave. Grupi parlamentar opozitar kryesisht ka dilema rreth kompetencave të institucioneve që duhet të sigurojnë zbatimin e masave. Numri i përgjithshëm i të infektuarve me Covid-19 në Maqedoninë e Veriut nga fillimi i pandemisë arrin 24.196, ndërsa i viktimave 850./Burimi: Shqiptarja.com