Secondary Adv

Bashkite shkurtojne investimet: Shpenzimet kapitale rane me 52 mln euro

Situata e pandemisë COVID-19 ka ndikuar ndjeshëm në performancën e 61 bashkive gjatë 8 mujorit të parë të vitit.

 

Referuar të dhënave nga Drejtoria e Financave Vendore, shpenzimet e pushtetit vendor sipas zërave kanë pësuar luhatje të ndjeshme në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019, duke bërë që shpenzimet kapitale të bien me afro 6.5 miliard lekë të apo 52 milionë euro. Gjithashtu, konstatohet që në vitin 2020 shpenzimet e personelit kanë pësuar një rritje të lehtë në raport me një vit më parë me rreth 291 milion lekë, rritje kjo e cila nuk ka një ndikim të ndjeshëm në strukturën e shpenzimeve. 

 

Gjatë 8 mujorit të vitit 2020 ka pasur një rënie në zërin shpenzime operative të pushtetit vendor në raport me një vit më parë, prej rreth 1.5 milliard lekë, që vjen kryesisht si rrjedhim i situatës së bllokimit nga pandemia COVID-19, në ambiente të mbyllura si: shkolla, njësi administrative, institucione publike. Sipas Ministrisë së Financave, ndryshimi në zërin e shpenzimeve për investime tregon që një ngarkesë të madhe të rënies ekonomike e ka mbuluar shkurtimi i shpenzimeve kapitale.

 

Në këtë drejtim njësitë e vetëqeverisjes vendore tashmë duhet të jenë më të përgjegjshme që pas daljes nga kjo situatë, të marrin masa si në drejtim të rritjes së cilësisë së shërbimeve që ofrojnë por edhe të volumit të punëve publike të cilat ato duhet të kryejnë për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Peshën më të madhe të zërave të shpenzimeve e zënë ato për personelin me rreth 42% të totalit të shpenzimeve, më pas vjen zëri i shpenzimeve operative me rreth 25% dhe në fund shpenzimet për investime të cilat zënë rreth 18.4% të totalit të shpenzimeve të pushtetit vendor në 8 mujorin e parë të vitit 2020. Në total, nga pushteti vendor gjatë kësaj periudhe janë shpenzuar 35.2 miliardë lekë, apo 283 milionë euro.

 

Shpenzimet e bashkive Janar-Gusht 2020

Shpenzime për personelin 42 për qind

Shpenzime operative 25 për qind

Shpenzime për investime 18.4 për qind./Burimi: Scan


Më të lexuarat