Secondary Adv

Rritja ekonomike synohet 5.5 per qind: Ja sa do jete deficiti buxhetor ne 2021

Zbret në Komisionet parlamentare projektbuxheti i 2021 ku ministrja e Financave vendosi si objektiv një rritje ekonomike të konsiderueshme pavarësisht pandemisë.

 

“Rritja në vitin 2021 të jetë 5.5%. Rritja ekonomike do të nxitet nga kërkesa e brendshme. Konsumi do nxitet nga përmirësimi i besimit të konsumatorit dhe rritja e punësimit. Në vitin 2021, të ardhurat totale të buxhetit parashikohen të arrijnë 479 miliardë lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 437 miliardë lekë dhe brenda zërit të ardhurave tatimore, të  ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 311 miliardë lekë”, tha Denaj. Por situata e pandemisë mesa duket do të detyrojë qeverinë të marrë përsëri borxh. “Lidhur me huamarrjen e re për të financuar deficitin buxhetor, theksoj se do të jetë në nivelin prej rreth 63.5 miliardë lekë e cila do të konsistojë në huamarrje në tregun e brendshëm prej 49.9 miliardë lekë dhe huamarrje e huaj prej 13.6 miliardë lekë. 

 

Niveli i borxhit publik do t’i rikthehet qartësisht trajektores rënëse në vitin 2021 me një vlerë rreth 78.6% të PBB nga rreth 80.9% që pritet në vitin 2020, pra duke u rikthyer sërish edhe ky parametër në përputhje me përcaktimet ligjore”, u shpreh Ministrja. Për relatorin Anastas Angjeli, parametrat e projektbuxhetit ishin më ambicioze nga sa pritej, por e mbështet me argumentin se vendit i duhet një rimëkëmbje. “Pr/buxheti vjen në kushte shumë të rënda ekonomike dhe recesioni ekonomik global, është një buxhet anti-recesion dhe i rimëkëmbjes ekonomike për vendin tonë.

 

Është shumë ambicioz buxheti më shumë nga sa e mendonim por është zgjidhje për të frenuar rënien ekonomike. Nëse nuk ikën pandemia do të kemi vështirësi ekonomike. Riorientim i shpenzimeve tek sektorët që duam të zhvillojmë, të investojmë tek projektet e mirë-studiuara. Po ashtu në projektbuxhet janë parashikuar investime të shtuara në infrastrukturë, mbështetje me fonde për pandeminë, rritje pagash si dhe lehtësira fiskale për biznesin e vitit 2021./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat