Kriza prek Tatimet: 36 mln euro TVSH te planifikuara nuk do rimbursohen
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk do të rimbursojë rreth 4 miliardë lekë ose 36 milionë euro nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar i planifikuar për këtë vit.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë këtij viti, ishin planifikuar të rimbursoheshin 21 miliardë lekë, por parashikimet tregojnë se vlera e alokuar nuk do të jetë më e madhe se 16.9 miliardë lekë. Ashtu si edhe zërat e tjerë buxhetorë, edhe rimbursimi i TVSH-së është ndikuar nga kriza e shkaktuar pandemia e Covid-19. Tkurrja e aktivitetit ekonomik në vend ka ulur volumin e shumave për rimbursim. Si pasojë e situatës jo të favorshme ekonomike, të ardhurat nga TVSH-ja pritet të pësojnë rënie me 4.3 miliardë lekë ose 3.3% këtë vit. Pothuajse e gjithë shuma e munguar nga të ardhurat e TVSH-së do t’i “hiqet” rimbursimit. TVSH e rimbursuar këtë vit do të jetë 19% më e ulët se plani i vitit dhe 40% më e ulët se e faktit të vitit 2019.
Gjatë vitit të kaluar, TVSH e rimbursuar arriti në 23,5 miliardë lekë, nga 16,9 miliardë lekë që pritet të jepen këtë vit. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka raportuar se stoku i TVSH-së së parimbursuar arriti në 11.3 miliardë lekë në tremujorin e tretë të këtij viti, me një rënie me rreth 4 për qind në raport me tremujorin e dytë të vitit, sipas të dhënave zyrtare nga tatimet. Në tremujorin e tretë të vitit 2020, janë rimbursuar gjithsej 4,63 miliard lekë. Gjatë këtij tremujori, rreth 2,51 miliard lekë e vlerës së rimbursuar shkoi për pagesën e kësteve për tatimpaguesit e mëdhenj në listën e tatimpaguesve me këste. Ndërsa numri i kërkesave të miratuara dhe rimbursuara gjatë kësaj periudhe ka qënë në total 268 me vlerë rreth 2,11 miliard lekë.
Gjatë tremujorit të tretë, pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së janë regjistruar 371 kërkesa për rimbursim me vlerë rreth 5,48 miliard lekë, nga të cilat janë pranuar 280 kërkesa me vlerë rreth 4,30 miliard lekë dhe 91 kërkesa me vlerë rreth 1,18 miliard lekë nuk janë pranuar për mosplotësim të kritereve ligjore. Kërkesat e miratuara për dy tatimpaguesit më të mëdhenj ( TAP dhe Ayen Energy) të cilat trajtohen me këste përbëjnë 88.7 % të totalit të stokut të rimbursimeve në fund të tremujorit të tretë të 2020. TVSH e parimbursuar përbën 17% të detyrimeve të prapambetura të qeverisë së përgjithshme jashtë treguesve fiskale.
Detyrimet e larta në rimbursimin e TVSH-se u krijuan nga investimet në projektet e mëdha, kryesisht në gazsjellësin TAP dhe investimet në HEC-et mbi lumin Devoll. Mirëpo, rendimenti i ulët fiskal i qeverisë, për shkak edhe të pandemisë Covid-19 vë në dyshim aftësinë për shlyerjen në kohë sipas marrëveshjes me kompanitë të këtyre detyrimeve. Praktikisht këto detyrime rëndojnë borxhin e përgjithshëm publik të vendit, pasi në të ardhmen autoritetet e financave do të detyrohen të bëjnë më pak shpenzime në sektorë prioritarë, si arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura./Burimi: Monitor