
Hapet kantieri i pare i rindertimit ne Tirane: Do strehohen 11 mije banore
U hap sot kantieri i rindërtimit të një lagjeje të re në Tiranë, ku pritet të strehohen 11 mijë banorë që humbën banesat nga tërmeti.
Vendoset guri i parë i themelit në lagjen “5 Maji” në Tiranë, e cila do të strehojë 11 mijë banorë të cilët humbën banesat e tyre në tërmetin e 26 nëntorit. Kompleksi i përbërë nga 7 pallate do të përfundojë brenda 2021, ndërsa banorët e rinj tanimë kanë në dorë kontratat e shtëpive të tyre. Gjatë punimeve do të punësohen 1.600 persona në mënyrë direkte, si dhe mijëra të tjerë indirekte. Pallatet e reja do të kenë të gjithë parkime të dedikuara për banorët, shkolla, çerdhe, kopësht, qendër tregtare, godina biznesi, park dhe shesh-pushimi. Lagjia e re, e cila është e arritshme përmes rrugës “5 Maji”, që bashkohet me Unazën pranë tregut të Medresesë është konceptuar si një miniqytet i integruar në një territor të gjerë, që do të urbanizohet në këndin që përfshin bashkimin e Bulevardit të Ri me Unazën e Madhe të qytetit.
Paralelisht, ka përfunduar lidhja e kontratave edhe për lagjen e re që do të ndërtohet në Kombinat dhe brenda muajit nëntor pritet të nisë edhe atje ndërtimi i kompleksve të reja. Aktualisht është drejt përfundimit faza e parë, ajo e ndërtimit të banesave individuale në të gjithë vendin, ndërsa ka nisur puna për lagjet e reja në Durrës, Shijak, Laç, Fushë-Krujë, Vorë dhe Thumanë. Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha se këto familje do të jetojnë në kushte shumë më të mira seç ishin para se shtëpitë e tyre të rrënoheshin nga tërmeti.
Mes të tjerash, Rama theksoi se vendi ynë mori dy goditje të rënda njëra pas tjetrës, tërmetin dhe pandeminë, por sipas tij, qeveria po ja del me sukses. “Sot procesi i rindërtimit hyn në një fazë të re, me çeljen e kantierit të parë të madh të kryeqytetit, i pari ndër disa kantiere të mëdha, që nuk janë thjesht një përgjigje për nevojën e familjeve, që humbën strehën e tyre në natën tragjike të 26 nëntorit të shkuar, por janë një reagim ndaj një krize të shkaktuar nga natyra në funksion të të ardhmes. Ka dy mënyra për ta përballuar një krizë, njëra për ta përballur si një shfaqje të momentit dhe për të kuruar plagën momentalisht, dhe mënyra tjetër është për ta përballur si një mundësi të re për t’u ngritur më lart se sa përpara se kriza të shfaqej.
Unë gjithmonë kam besuar dhe besoj se çdo krizë është një mundësi e madhe. Nëse populli thotë të këqijat nuk vijnë vetëm për keq, atëherë kjo ishte një e keqe shumë e madhe, së pari për familjet që humbën tragjikisht familjarët e tyre, pastaj për mijëra familje të tjera që humbën strehën. E mira në këtë të keqe është se së bashku ne po ngrihemi më lart seç ishim përpara se të ndodhte tragjedia. Tirana, Durrësi e të gjithë zonat e tjera me radhë, që u goditën, pas rindërtimit do të jenë vende më të mira seç ishin për njerëzit, para se të ndodhte tragjedia. Kjo zonë këtu mbase do të ishte prekur për t’u ngritur më lart pas 10-20-30 vitesh, kur të krijoheshin mundësitë.
Ndërkohë që ne e prekim këtë zonë sot me ambicien që mbi këto rrënoja apo ngrehina kaotike të shumë dekadave të mbledhura së bashku të ndërtojmë në pak vite një qendër të re të Tiranës, një adresë të re për Tiranën që duam, për gjeneratat e tjera, dhe një hapësirë cilësisht të re për plot 11 mijë banorë të vjetër e të rinj, që do të jetojnë në këtë zonë si në ndonjë periferi të largët e me shumë mungesa të një kryeqyteti që zhvillohet, por që do kohën e vetë të zhvillohet njësoj në gjithë territorin, por do të jetojnë si një zonë ku do të jetë kënaqësi të jetosh. Vlera e pasurisë së patundshme do të jetë shumëfish më e lartë nga sa është sot këtu. Nëse dikush ka humbur një shtëpi në Tiranë me një vlerë X dhe do të hyjë së shpejti në apartamentet e lagjeve të reja do të disponojë një shtëpi më të fortë, por edhe një vlerë më të madhe pasurore./Burimi: Balkanweb
Më të lexuarat









