Sa do te zgjase pandemia: Cfare na mesoi e kaluara, kostot e pritshme ne ekonomi
Me pandeminë e koronavirusit që tashmë ka hyrë në kulmin e saj, dilema të shumta janë ngritur.
Sot askush nuk është në gjendje të parashikojë në këto momente për sa kohë do të zgjasë, cilat do të jenë kostot dhe sa i vështirë do të jetë rekuperimi. Një ide e mundshme mund të krijohet nga pandemitë e kaluara. Më herët, bota është përballur me pandeminë globale të Gripit Spanjoll në fillim të shekullit XX dhe me shpërthime më të lokalizuara në formën e SARS-it dhe Ebolës në fillim të këtij shekulli. Gripi spanjoll ka zgjatur për 24 muaj dhe ka qenë më vdekjeprurësi deri tani, sa i përket numrit të jetëve të humbura, me deri në 50 milionë vdekje. Shkalla e vdekshmërisë vlerësohet midis 3-10%. Ai u përhap në 187 shtete (përhapja më e gjerë deri përpara Covid-19 që ka prekur tashmë 217 shtete).
Ebola ka zgjatur 26 muaj dhe ka shkaktuar 11 mijë vdekje me në shkallë vdekshmërie prej 40%, me normën më të lartë deri tani, por që ka pasur një përhapje në vetëm 3 shtete. SARS ka pasur kohëzgjatjen më të ulët, në vetëm 8 shtete, për shkak të transmetimit të ulët, ndërsa vdekshmëria vlerësohet në 10%. Shpërthimet virale mund të çojnë në humbje të menjëhershme të PBB-së, në një normë midis më pak se 1 dhe mbi 20%, në varësi të numrit të infeksioneve, shkallës së vdekshmërisë, kohëzgjatjes së shpërthimit, masave të shëndetit publik dhe reagimit më të gjerë social dhe ndërkombëtar. Ndikimi afatshkurtër i PBB-së së koronavirusit mund të ndryshojë në të gjithë vendet.
Pasojat në ekonomi
Sipas një artikulli të Richard Hughes për Resolution Foundation, ndërprerja në aktivitetin ekonomik e shkaktuar nga një shpërthim viral është produkt i pesë faktorëve kryesorë:
(i) numri i personave të infektuar,
(ii) shkalla e sëmundshmërisë dhe e vdekshmërisë në lidhje me njerëzit që sëmuren,
(iii) kohëzgjatja të shpërthimit,
(iv) kufizimet e shëndetit publik të vendosura për të përmirësuar përhapjen e mëtejshme të virusit, dhe
(v) masa të tjera vullnetare të distancimit social që njerëzit marrin për të zvogëluar mundësitë që të infektohen prej virusit.
Ashtu siç shpjegohet edhe më poshtë, historia tregon që (i) dhe (ii) janë përcaktuesit kryesorë të ndikimit ekonomik afatgjatë të sëmundjes ndërsa (iii), (iv) dhe (v) janë përcaktuesit kryesorë të ndikimit ekonomik në një periudhë të afërt kohore.
Bazuar në përvojën e kaluar, vendet më shumë të prekura mund të shohin humbje vjetore të PBB-së në shifra të larta jo vetëm një por edhe dyshifrore, sidomos në pikun e shpërthimit./Burimi: Shqiptarja.com