Bankers nis demshperblimet per Marinzen
Kompania e shfrytëzimit të naftës në zonën Patos-Marinzë vendosi të dëmshpërblejë banorët që iu dëmtuan shtëpitë nga shpërthimi i dy pontanave të gazit. Hetimet në prokurori dhe ‘Bankers’ që iu druhet raporteve që e nxirrnin zonën të kontaminuar në ajër, ujë dhe tokë. Dëmshpërblimi, një “parapritë” për të shmangur ankesat në rritje për dëmin e madh në ekosistem.
Demshperblimet
Kompania “Bankers Petrolium” vendos të hapë arkën e saj për të dëmshpërblyer banorët e fshatit Marinzë. Bëhet fjalë për 44 banesa, të cilat do të dëmshpërblehen një më një, sipas vlerësimeve që janë bërë para pak javësh nga Komisioni i Vlerësimit të dëmeve, i ngritur nga pushteti lokal. Për herë të parë kjo kompani e shfrytëzimit të naftës ka pranuar të lëshojë “dorën” me dëmshpërblimet për banesat.
Mirëpo duket se pas këtij akti fshihet mbulimi i “dëmit” të vërtetë dhe atë të pakthyeshmin, që është ndotja në ajër, ujë dhe tokë, çka ka sjellë edhe keqësimin e shëndetit të banorëve të fshatit Marinzë. Ngjarja ku shpërthyen dy pontana të pusit të naftës ndodhi më datë 1 prill të këtij viti dhe solli dëme të shumta, si në banesa ashtu edhe në të gjithë ekosistemin. Uji i zi i çliruar nga nëntoka bashkë me gazin shkaktoi panik dhe largim masiv të banorëve të fshatit për të paktën tri ditë. Gjithsesi një muaj më pas, kompania po mundohet të bëhet e “mirë” me të prekurit.
Me anë të një njoftimi për mediat, “Bankers Petrolium” shprehet se shtëpitë e dëmtuara do të riparohen dhe toka do të merret me qira për një periudhë 2-vjeçare deri në rehabilitimin e plotë. Sipas saj, familjet do të kompensohen në masë të plotë 100 për qind, me çmimet që ka përcaktuar Komisioni i Vlerësimit të dëmeve. Në raport si të përfshirë në dëmshpërblime të menjëhershme janë 44 shtëpi të konsideruara me dëmtime serioze dhe 66 të tjera që janë përfshirë në listën e banesave që kërkojnë riparime.
Ky “nxitim” i ‘Bankers’ dyshohet se lidhet me masat që ajo po ndërmerr për të minimizuar dëmet e vërteta, sidomos pas bërjes publike të raporteve të institucioneve dhe laboratorëve shtetërore, të cilat bënë përgjegjës për ndotjen e madhe dhe shkatërrimin e banesave dhe ekosistemin pikërisht shfrytëzimin kundër çdo kriteri të zonës naftëmbajtëse nga ana e kompanisë “Bankers Petrolium”.
Raporti i dëmeve
Raporti i tri institucioneve shtetërore gjendet në duart e Prokurorisë së Fierit, e cila tashmë pritet që të ngrejë akuzat për personat përgjegjës që shkaktuan shpërthimin e dy pontanave të gazit në një pus nafte në Marinzë. Më shumë se dëmi momental i ditëve të para të muajit prill ishte ai i shkaktuar në kohë, sidomos nga shpimet pa kriter të puseve. Tashmë që çështja është në prokurori, kompania i druhet ndonjë kërkese për masë pezullimi të aktivitetit të saj.
Si kundërpërgjigje ndaj raporteve të ardhura nga organet shtetërore, ‘Bankers’ ka paraqitur disa analiza që sipas saj, uji dhe ajri nuk janë të ndotura dhe gjithashtu edhe produktet bujqësore dhe shtazore të zonës Patos-Marinzë mund të konsumohen pasi nuk ka rrezik kontaminimi. Ndërkohë bëhet me dije se kompania “Bankers Petrolium” do të marrë me qira për një periudhë dyvjeçare tokën bujqësore që është prekur nga ky incident, kohë kjo e mjaftueshme për të kryer procesin e pastrimit, rehabilitimit dhe pasurimit, duke e kthyer atë në gjendjen e mëparshme.
Duke iu referuar njoftimit, kompania pretendon se nga incidenti i ndodhur është mësuar më shumë dhe tashmë e tutje do të ketë një rishikim të praktikave të shpimit, duke bërë modifikime të pajisjeve për të përballuar gazin me presion të lartë. Burime konfidenciale brenda kompanisë shprehen se është marrë seriozisht çështja e shpërthimit të pusit dhe ajo e hapjes së procesit penal. Drejtues të kompanisë duke parë dëmin e madh të shkaktuar në mjedis dhe në pasuritë e banorëve të fshatit Marinzë u druhen masave që mund të merren, pasi një pezullim i mundshëm shkon brenda logjikës së gjithë ngjarjes.