Kredite me probleme, rritje e lehte ne muajin e daljes nga moratoriumi
Raporti i kredive me probleme u rrit lehtë për muajin shtator dhe arriti në 8.3%, nga 8.13% që kishte qenë për gushtin.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se as në muajin e parë të daljes nga moratoriumi i pagesave ky tregues nuk shënoi rritje shumë të lartë. Kjo ishte e pritshme, duke qenë se afati i përcaktuar nga kërkesat rregullatore të Bankës së Shqipërisë për t’i klasifikuar kreditë si problematike është të paktën 90 ditë. Raporti i kredive me probleme është rreth dy pikë e gjysëm më i ulët krahasuar vitin e kaluar dhe gjatë gjithë vitit 2020 ka qenë mjaft i qëndrueshëm në intervalin me 8.1% dhe 8.3%.
Megjithatë, gjatë tremujorit të tretë bankat kanë ndjekur një qasje më të kujdesshme dhe kanë rritur ndjeshëm provigjionet krahasuar me dy tremujorët e parë të vitit. Ndërkohë që bankat duhet ende të kuptojnë pasojat e valës së parë të Covid-19 në ekonomi, vala e dytë që po imponon vendosjen e kufizimeve të reja rrezikon të sjellë të tjera dëme për ekonominë dhe tërthorazi, edhe për sektorin bankar. Duke qenë se masat e përkohshme rregullatore janë shfuqizuar, tashmë efektet e valës së dytë të pandemisë mund të përcillen më shpejt. Deri në mesin e këtij viti, bankat dhe institucionet financiare shtynë rreth dy miliardë euro portofol kredie, ndërsa një pjesë e huamarrësve vendosën të përfitonin edhe nga periudha e dytë e shtyrjes, në periudhën qershor-gusht.
Nëse ekonomia mbyllet sërish, Banka e Shqipërisë mund të vendoset para dilemës për të riaktivizuar masat prudenciale që mori në pjesën e parë të këtij viti. Megjithatë, në deklarimet e fundit publike, drejtuesit e saj kanë lënë të kuptohet se janë kundër përcjelljes së mëtejshme të kostove të krizës te bankat, çka nënkupton se një moratorium tjetër në bllok nuk është një zgjidhje e preferueshme.
Në pritje për të krijuar një ide më të qartë për faturën e krizës, sektori bankar në Shqipëri ka aktualisht 50 miliardë lekë ose rreth 400 milionë euro kredi me probleme. Në pesë vitet e fundit, janë fshirë rreth 65 miliardë lekë kredi të humbura. Në përpjekje për të nxitur pastrimin e mëtejshëm të portofoleve, Banka e Shqipërisë vendosi shkurtimin e afatit për nxjerrjen jashtë bilancit të kredive të humbura, nga tre vjet në dy vjet. Kjo pritet t’i japë një shtysë të re fshirjeve, sidomos në tremujorin e fundit të vitit, që është periudha kur bankat zakonisht ndërmarrin pjesën më të madhe të fshirjeve.