Rritet kapaciteti i testimeve- MSH: Nga 1 dhjetori nisin testet e shpejta
Ministrja e Shëndetësisë konfirmoi në një komunikim me qytetarët përmes rrjetit sociale Facebook se nga dhjetori nis testimi i shpejt për koronavirusin në vend.
Në këtë mënyrë sipas saj rriten kapacitetet testuese të vendit duke parandaluar edhe më tepër infektimin. “Ne po vazhdojmë të fuqizojmë kapacitetet tona në gjithë sistemin shëndetësor duke filluar nga përmirësimi i testimit dhe gjurmimit, dhe përfshirja e testeve të shpejta brenda dhjetorit do të bëjë të mundur kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit”, tha Manastirliu. Më herët, ministrja njoftoi se nga data 1 dhjetor, një pjesë e shkollave do të kalojnë në mësim online. Vendimi vjen për shkak të numrit të lartë të të infektuarve në radhët e mësuesve.
Fjala e plotë e Manastirliut
Prej mëse 9 muajsh, i gjithë sistemi ynë shëndetësor është në gatishmëri të plotë në përballje me këtë virus që po sfidon mbarë botën. Ne po vazhdojmë të fuqizojmë kapacitetet tona në gjithë sistemin shëndetësor duke filluar nga përmirësimi i testimit dhe gjurmimit, dhe përfshirja e testeve të shpejta brenda dhjetorit do të bëjë të mundur kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit. Bazuar në planin tonë të vjeshtë-dimrit kemi siguruar vaksinimin falas ndaj gripit për grupet e riskuara për 368 mijë qytetarë dhe sot ka mbërritur sasia e fundit prej 230 mijë vaksinash.
Si pjesë e planit tonë ka filluar rimbursimi i paketës së barnave falas të çdo qytetari të diagnostikuar me covid19. Spitali Covid 4 dhe spitalet rajonale janë gati për t’u shërbyer pacientëve sipas skenareve në strategjinë e vjeshtë-dimrit. Për t’iu përgjigjur nevojave dhe për të mbështetur stafet tona kemi punësuar deri tani 270 profesionistë të shëndetit. Dua të falenderoj ekipet tona mjekësore në të katër anët e Shqiperisë për punën, sakrificën edhe përkushtimin që kanë treguar në këto kohë sfiduese.
Bazuar në percaktimet e udhezimeve të OBSH dhe analizën mbi baza dinamike të Institutit të Shëndetit Publik, situata paraqitet në një nivel risku të shtuar. Ekspertët e shëndetit publik në ISHP vlerësojnë se impakti i masave që kemi marrë deri më sot, vlerësohet në hapësirën kohore 4-6 javë nga momenti i fillimit të zbatimit. Por, që të kenë efekt duhet që çdo masë të zbatohet nga të gjithë me përpikmëri e përgjegjësi./Burimi:abcnews.al