107 milionë euro do të përdoren për 5 vitet e ardhshme për mirëmbajtjen dhe sigurinë e rrugëve në Shqipëri. 65.9 mln euro janë dhënë hua nga Banka Botërore, ndërsa 41.2 mln janë financime nga qeveria shqiptare.
Autoriteti Rrugor do të financohet me rreth 107 milionë euro për projektin e mirëmbajtjes së rrugëve kombëtare me kontrata 5-vjeçare të bazuara në rezultate. Mirëmbajtja dhe siguria rrugore prek kryesisht akset me trafik të dendur, ato që lidhin qendrat e zhvillimit ekonimik, të turizmit dhe në pikat kufitare, siç janë akset Tiranë – Durrës, Elbasan – Kapshticë, Durrës – Vlore etj.Për këtë qëllim, Grupi i Bankës Botërore do të japë huan 65,900,000 euro, që bëhet efektive pas ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend. Qeveria shqiptare do të japë 41.2 milionë euro pa llogaritur TVSH si kosto lokale.
Objektivat e projektit janë të ruajë kushtet e rrjetit të rrugëve parësore dhe parësore-dytësore (1335 km) të rrjetit kombëtar me anë të mirëmbajtjes periodike dhe asaj rutinë. Gjithashtu, synohet të përmirësohet siguria e rrjetit rrugor. Projekti do të fuqizojë praktikat e menaxhimit të aseteve rrugore e të sigurisë në përfitim të përdoruesve të rrugës. Mirëmbajtja e rrjetit rrugor ka qenë vazhdimisht e 1 keqfinancuar. Numri i aksidenteve me vdekje mbetet shumë i lartë, krahasuar me disa vende të rajonit, dhe shumë herë më i lartë se vendet e BE-së.
Qeveria ka rritur vëmendjen ndaj reformës së sigurisë rrugore dhe synon që, deri në vitin 2020, të reduktojë me 50% numrin e fataliteteve. Realizimi i mirëmbajtjes periodike dhe i asaj rutinë të rrugëve do të menaxhohet nga Autoriteti Rrugor me anë të kontratave të mirëmbajtjes, me bazë performance parashikohet për një periudhë 5-vjeçare.Gjithashtu, përfshihet dhe monitorimi i këtyre kontratave nëpërmjet shërbimeve të supervizorit, për të siguruar përputhshmërinë me nivelet e shërbimit të përcaktuara në kontratë.
Këto shërbime të monitorimit do të sigurojnë audit të sigurisë së rrugëve të projektit, si dhe do të zhvillojnë “Sistemin e transparencës sociale”, ku përdoruesit e rrugës mund të japin opinionin e tyre mbi gjendjen e rrugëve.