Parku Olimpik i Tiranës, një premtim i bërë dy vite më parë nga kryeministri Edi Rama, ka nisur këtë të hënë punën për t’u kthyer në realitet. Projekti 6 milion eurosh do të realizohet pranë ish-kompleksit Dinamo.
Një hapësirë, ku veç terreneve sportive do të përfshihen zyra të federatave të ndryshme, si dhe ambiente të posaçme për sportistët elitare, me një investim prej 6 milionë dollarësh nga buxheti i shtetit.
“Sot ne i hapim rrugë një projekti kompleks, që transformon gjithë këtë territor të rrënuar e të braktisur në një hapësirë sportive të rilindur, ku do të ketë vend për shumë kategori sportistësh dhe dashamirësish të sportit dhe ku do të ketë vend për federatat, që kanë 25 vjet që mbijetojnë nëpër skuta të mbetura që nga koha e vjetër dhe s’kanë asnjë zyrë. Në 18 muaj ne kemi bërë investime në sport saç janë bërë në 23 vjet të marra së bashku”, deklaroi Rama. Kompleksi Sportiv i Agjencisë së Shërbimeve të Sporteve, i njohur si kompleksi “Dinamo”, brenda 4 viteve të ardhshme do të pësojë një ndryshim rrënjësor, për t’u transformuar në atë që do të quhet “Parku Olimpik i Tiranës”.
Rama ka zbuluar se etapa e parë do të jetë ndërtimi i palestrës së re të peshëngritjes dhe mundjes, që do të fillojë menjëherë. Etapa e dytë do të jetë largimi i federatave sportive nga ambientet e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, për t’u sistemuar në “mjedise normale” për të zhvilluar aktivitetin e tyre. Përkrah tyre do të krijohen hapësira në mënyrë që në këto ambiente të zhvillojë veprimtarinë edhe KOKSH dhe Komiteti Antidoping. “Kështu do të bëhet e mundur që në një hapësirë të integruar plotësisht të mblidhet gjithë struktura zinxhir e sportit, që ka të bëjë me linjën e shumësportëshit”, shpjegoi Rama.
Paralelisht, po planifikohet rindërtimi i plotë i sallës së lojërave me dorë, që do të kthehet në një qendër funksionale, edhe për zhvillimin e ndeshjeve të aktiviteteve kombëtare e ndërkombëtare. Dhe ndërkohë, do të akomodojmë skuadrat e lojërave me dorë dhe në kushtet kur do të duhet, edhe një kapacitet prej 1400 sportdashësish”, tha ai për këtë pjesë të Parkut Olimpik të Tiranës.
Në këtë kompleks do të ndërtohet edhe një fushë olimpike, me një sipërfaqe prej rreth 13 mijë m2, me një pistë atletike të standardeve ndërkombëtare. Ndërkohë, në një fazë të mëvonshme do të shihet me prioritet mundësia e ndërtimit të një pishine në dispozicion të sportistëve. Duke u bazuar në projektin fillestar, qeveria shqiptare ka akorduar rreth 10 milionë euro për realizimin e transformimit të kompleksit ekzistues.