OBSH thirrje per vigjilence: Vaksina nuk e zhduk koronavirusin
Zhvillimi i disa vaksinave efikase kundër COVID nuk duhet të ulë vigjilencën, sepse ato nuk do të zhdukin koronavirusin, paralajmëroi OBSH.
“Vaksinat nuk nënkuptojnë zero raste me COVID”, konfirmoi Mike Ryan, i ngarkuar për situatat e urgjencës në agjencinë e OKB-së duke shpjeguar se vetëm vaksinat nuk mund të bëjnë të gjithë punën. Shefi i OBSH gjithashtu përgëzoi zgjedhjen e bërë nga Presidenti i zgjedhur Joe Biden dhe ish-presidentët e SHBA-së Barack Obama, George W. Bush dhe Bill Clinton të cilët thanë se ishin të gatshëm të vaksinoheshin publikisht për të inkurajuar bashkëqytetarët të bëjnë të njëjtën gjë. Në krah të tij, zyrtarja e ngarkuar me menaxhimin e pandemisë në OBSH, amerikanja Maria Van Kerkhove, i bëri thirrje popullatës që të reflektojnë gjatë sezonit të festave të fundvitit në mënyrë që të kufizojnë transmetimin e koronavirusit.
“Vendimet që ne marrim tani, mund të nënkuptojnë jetën ose vdekjen për ne, për familjen tonë”, shtoi ajo. Pandemia e koronavirusit, që ka prekur 65 milionë persona dhe ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 1,5 milionë, ka filluar të përshpejtohet në botë, ndërkohë që projektet për vaksinime masive janë përcaktuar në disa vende. “Progreset e realizuar në fushën e vaksinave na japin të gjithëve moral dhe ne mund të fillojmë tashmë të shohim dritë në fund të tunelit”, theksoi drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus./Burimi: abcnews.al