Audit kontratave te lidhura me kompanite per mirembajtjen e rrugeve
Kontratat që qeveria ka bërë me kompanitë private për punime apo mirëmbajtje të rrugëve, do të kalojnë në sitë për të parë se sa janë përmbushur detyrimet.
Për kompanitë që nuk i janë përmbajtur rregullave kontraktore, do të ketë penalizime. Ky është edhe një ndër qëllimet ku do të përqendrohet huaja e Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim, prej 66 milion eurosh.
Pavarësisht problemeve që kanë pasur me mospagesat në kohë nga ana e qeverisë, një pjesë e mirë e kompanive kanë treguar moskorrektesë në përmbushjen e afatit të vendosur për përfundimin e punimeve, apo në plotësimin e standardve të sigurisë, tabelave sinjalizuese, etj. Aktualisht infrastruktura e vendit vuan mungesë të theksuar të sigurisë, për shkak arnimeve të shumta nëpër rrugë dhe punimeve pa kriter e të lëna përgjysmë.
Ky paralajmërim është dhënë edhe më parë nga Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, duke theksuar edhe faktin se punimet duhet të jenë cilësore për shkak se ka mungesë fondesh për mirëmbajtjen e rrugëve, por edhe për të minimizuar numrin e aksidenteve.
Sipas projektligjit që aktualisht po diskutohet në komisionet parlamentare, kontratat e reja do të monitorohen nga shërbimet e supervizorit. Shërbimet e monitorimit do të zhvillojnë gjithashtu “sistemin e transparencës sociale”, ku përdoruesit e rrugës të japin opinionet e tyre mbi gjendjen e infrastrukturës.Projekti do të bashkëfinacohet nga qeveria shqiptare, si kosto lokale prej 41.2 milionë eurosh, si dhe kontributin e TVSH-së për të gjithë vlerën e projekti.