Punesim vetem me kontrata per hidraulike dhe elektriciste
Për herë të parë Kodi i ri i Punës parashikon ngritjen e agjencive për punësimet e përkohshme, të cilat pritet të sigurojnë mbrojtje ligjore për të gjithë personat që punojnë si: hidraulikë, elektricistë, pastruese, babysitter, punëtorë ndërtimi me ditë, etj.
Deri më tani këta persona kanë qenë të pambrojtur ligjërisht, duke punuar shpeshherë në të zezë. Ndërkohë që sot punësimi i tyre do të bëhet përmes marrëdhënieve kontraktuale të punësimit, që parashikohen në dokumentin më të rëndësishëm që rregullon marrëdhëniet në punë. Tashmë projektligji “Për Kodin e Punës” ka kaluar në qeveri, ndërsa ndryshimet priten të kalojnë për diskutim në parlament.
Agjencia Agjencia e Punësimit të Përkohshëm do të jetë “një urë lidhëse” mes punëdhënësit dhe punëtorit. Ajo do të kontraktojë përkohësisht punëmarrësin, duke e adresuar në një punë të caktuar, me kusht që midis tyre të ketë një marrëdhënie kontraktore punësimi.
Në këtë kuptim do të ketë 2 punëdhënës: subjekti që ofron realisht vendin e punës (subjekti pritës) dhe agjencia, ku secili prej tyre do të ushtrojë kompetenca të caktuara. Kodi i ri i Punës saktëson se punësimi i përkohshëm nuk duhet të zgjasë më tepër se 2 vjet, pasi në këto kushte nuk konsiderohet më si i tillë. Duke qenë se subjekti pritës dhe agjencia do të luajnë funksionin e punëdhënësit, mes tyre do të ekzistojnë disa kushte të paracaktuara, për të realizuar kontraktimin e punonjësve të përkohshëm. Kështu, sipas këtyre kushteve, të drejtën e zgjidhjes së kontratës së punës e ka punëmarrësi dhe agjencia, ndërsa në rastin e zgjidhjes së kontratës nga ana e punëmarrësit, për shkaqe që kanë të bëjnë me subjektin pritës, punëdhënësi ka të drejtë t’i kërkojë punëmarrësit me shkrim të paraqesë arsyet e kësaj zgjidhjeje.
Po ashtu, saktësohet se pagat dhe përfitimet e tjera të punëmarrësit paguhen nga agjencia, ndërkohë që mosshlyerja e detyrimeve financiare të subjektit pritës kundrejt agjencisë nuk prek pagat dhe përfitimet e tjera të punëmarrësit.Sipas Kodit, të gjitha detyrimet që kanë të bëjnë me deklarimet në organet tatimore, konfidencialitetin e të dhënave personale si dhe zbritjet nga paga, lidhur me tatimin mbi të ardhurat dhe kontributin e sigurimeve shoqërore e shëndetësore të punëmarrësit, janë përgjegjësi e agjencisë.
Në këtë mënyrë, këtyre personave duket se iu sigurohet ekspertiza e nevojshme ligjore për të mos u “mashtruar” nga punëdhënësi i tyre. Po ashtu, Kodi i Punës përcakton edhe një sërë rregullash të tjera që saktësojnë se si do të funksionojë punësimi i përkohshëm, ndërkohë që “Gazeta Shqiptare” zbardh sot të plota nenet që shpjegojnë se s’i do të funksionojë ky punësim nga agjencia.