Aeroporti i Rinasit: Ikin kinezet, Kastrati ne negociata per te blere koncesionin
Grupi Kastrati, më i madhi në vend, është në negociata për të blerë aksionet e kompanisë kineze që zotëron 100% të aksioneve të Tirana International Airport.
“Monitor” ka mësuar se palët janë në negociata dhe transaksioni pritet që të përfundohet gjatë javës së ardhshme. Të kontaktuar nga Monitor, burimet zyrtare të “Tirana International Airport” nuk bënë asnjë koment. Grupi kinez, i shërbimeve financiare China Everbright, njoftoi ne prill 2016 se kishte nënshkruar marrëveshjen për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, përmes filialit të saj “Real Fortress Private Limited”.
Të drejtat koncesionare u blenë nga tre aksionerët Albanian-American Enterprise Fund “AAEF”, DEG-Deutsche investitions-und Entëicklungsgesellschaft mbH” dhe (“AviAlliance GmbH”), që kishin nënshkruar një kontratë koncesioni me qeverinë shqiptare në vitin 2004. Çmimi i shitjes së kuotave te kompania kineze ishte 82.25 milionë euro, sipas kontratës zyrtare. Kastrati është grupi më i madh në vend, me aktivitetin kryesor në fushën e tregtimit me pakicë dhe shumicë të hidrokarbureve, por që vitet e fundit është diversifikuar, kryesisht në sigurime, në sektorin e ndërtimit dhe turizmit dhe tashmë po hyn dhe në transportin ajror, përmes aeroportit.
Në vitin 2019, qarkullimi vjetor i grupit iu afrua 90 miliardë lekëve (730 milionë eurove), duke shënuar vitin më të mirë historik, pas një rritjeje të të ardhurave me rreth 5%. Në 2019-n, Kastrati kaloi si grupi më i madh dhe për fitimet. Kompanitë kryesore të grupit “Kastrati group”(tregtim me shumicë i naftës),“Kastrati shpk” (tregtim me pakicë i naftës),“Alb-Siguracion”(sigurime) dhe Autostar Albania (tregtim dhe shërbime ndaj automjeteve) raportuan në total, një fitim prej 3.1 miliardë lekësh (25 mln euro), me rritje prej 12% me bazë vjetore. Grupi Kastrati zotëron dhe 50% të aksioneve Albanian Highway Concession, që menaxhon koncesionin e rrugës së Kombit./Burimi: Monitor