
Formule e re per familjet qe nuk paguajne dot energjine
Ministria e Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka ngritur një grup pune, për identifikimin e familjeve që nuk paguajnë dot energjinë elektrike. Ky grup do të ketë për qëllim që të dalë me një formulë të re për subvencionimin e faturave që nuk janë paguar apo kamatëvonesave nga të gjithë familjarët.
E kontaktuar nga “shqiptarja.com”, zëvendësministrja e Mirëqenies Sociale Gentiana Sula, konfirmoi se janë ngritur grupet e punës dhe se shumë shpejt do të dilet me një formulë të re për pagesën e energjisë elektrike. Këtë fakt zëvendësministrja Sula e konfirmoi dhe në Komisionin e Shëndetësisë pak ditë më parë. “Kemi krijuar një grup pune, Ministria e Mirëqenies Sociale bashkë Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Do bëhet hetimi i profilit të personave që nuk paguajnë dot energjinë elektrike, duke analizuar çdo rast dhe shumë shpejt do të dalim me një formulë të re për sa i përket borxheve dhe kamatave të energjisë. Duke ditur dhe duke qënë të qartë se energjia është një mall që blihet, është në detyrim që qytetarët duhet ta paguajnë, por për shtresat në nevojë ato po marrin subvencion, që është paguar si për personat me aftësi të kufizuar, personat me aftësi ekonomike dhe pensionistët.
Që në shkurt pagesa po bëhet për çdo përfitues. Për të prapambeturat, jemi ulur, kemi krijuar grupe pune, po dalim në disa formula, të cilat do ti ofrohen dhe qytetarëve”, - u shpreh Gentiana Sula. Ngritja e grupit të punës për identifikimin e familjeve që nuk paguajnë dot energjinë elektrike është konfirmuar dhe nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
“Ka një grup pune, të disa institucioneve, që do të kenë për qëllim daljen me një skemë të re, por është ende herët për të folur për detajet. Grupi i punës është ngarkuar dhe për daljen e një raporti për familjet që nuk kanë mundësi për të paguar energjinë dhe më pas do të vendoset se çfarë do të bëhet me këto familje”, - thanë burime pranë OSHEE, që janë pjesë e grupit të punës.
Skemat për energjinë që mund të propozojë grupi i punës
Grupi i punës që është ngritur për identifikimin e familjeve që nuk paguajnë dot energjinë elektrike pritet të dalë me disa propozime për një formulë të re. Sipas të dhënave të para mund të zgjerohet skema e kompesimit duke përfshirë dhe disa shtresa të tjera në nevojë.
Nga skema aktuale e kompensimit përfitojnë pensionsitët, invalidët, familjet më ndihmë ekonomike si dhe personat me pagë nën 35 mijë lekë. Gjithashtu një tjetër propozim që po diskuton grupi i punës është një skemë e re për faljen e kamatëvonesave. Burime pranë grupit të punë hedhin poshtë idenë e fshirjes së borxhit për familjet që nuk kanë paguar energjinë, por do të dilet me një formulë të re.
Debitorët kanë paguar rreth 6.5 miliardë lekë
Deri në 15 korrik të gjithë debitorët e energjisë elektrike, mund të lidhin kontratë me OSHEE-n, për ti paguar detyrimet me këste ose mund tu falen 80% e kamatvonesës. Nga kjo skemë, deri më 31 mars përfituan 300 mijë konsumatorë familjarë, por janë ende 200 mijë konsumatorë të tjerë familjarë të cilët e patën të pamundur të paguanin kamatvonesat. “Për shkak të këtyre kërkesave të shtuara, kompania mendoi dhe Këshilli Mbikëqyrës ka marrë një vendim për ta riaktivizuar këtë skemë duke filluar nga sot deri më 15 korrik të këtij viti.
Pra, 200 mijë qytetarë të tjerë, të cilët kanë akumuluar borxhe dhe të cilët nuk kanë patur mundësi të hyjnë në skemën lehtësuese që u aplikua deri më 31 Mars, e kanë këtë mundësi deri në 15 Korrik të këtij viti”, - u shpreh Ministri i Energjitikës dhe Industrisë Damian Gjiknuri pak kohë më parë.
Detyrimi do të shlyhet me këste për debitorët familjarë me 2500 lekë muaj, dhe 1000 lek muaj për pensionistët kryefamiljarë, si dhe ulet 80% e kamatëvonesës për këdo që paguan njëherësh gjithë detyrimin ndaj kompanisë. Deri tani debitorët kanë paguar në sportelet e OSHEE-së 6.5 miliardë lekë. Skema aktuale që ka aplikuar Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka rezultuar një sukses për sa i përket familjeve që nuk kishin paguar energjinë. /Shqiptarja.com
Më të lexuarat








