Secondary Adv

Maqedonia bllokon importin e perimeve nga Shqiperia

 

Maqedonia ka ulur traun e doganës duke ndaluar importin e perimeve të freskëta nga Shqipëria. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Bujqësisë, që nga ana e saj ka bërë me dije se ministri Edmond Panariti i ka dërguar një letër homologut maqedonas, ku i shkruan se fryma e bashkëpunimit duhet të shfaqet në heqjen e barrierave tregtare dhe në dialog të vazhdueshëm midis palëve.


Katër kamionë me pemë dhe perime nga Shqipëria që kishin si destinacion tregun e Maqedonisë janë bllokuar në vendkalimin kufitar Bllacë. Bëhet fjalë për 4 kamionë të ngarkuar me  54 ton domate, 8 ton tranguj, 900 kg lakër, 2 ton rrepë të kuqe, 9 ton shalqi dhe 1,5 ton pjepër. Prodhimet bujqësore janë nga Shqipëria dhe duhet të shiten në tregun e Maqedonisë.


Kamionët presin me ditë të hyjnë në Maqedoni dhe me këtë rritet rreziku i prishjes së mallit, por ato do të marrin leje menjëherë pasi laboratorët ta konstatojnë rregullshmërinë e prodhimeve nga laboratorët e akredituar.


Drejtori i Inspektoratit Fito – Sanitar në Maqedoni,  Rumen Stamenov theksoi për Alsat- M se kontrollet nuk bëhen për t’u mbrojtur prodhimi vendor  por që të mbrohet shëndeti i njerëzve. Autoritetet e Maqedonisë kanë theksuar se po vërtetojnë besueshmërinë e dokumentacionit të lëshuar nga autoritetet shqiptare.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i Shqipërisë, Edmond Panariti i është drejtuar me një letër homologut maqedonas, Mihail Cvetkov ku nënvizohet se veprimet e njeaneshme nuk i kontribojne marrëdhënieve dypalëshe.


“Fryma e bashkëpunimit duhet të shfaqet në heqjen e barrierave tregtare dhe në informim dhe dialog të vazhdueshëm midis palëve. Veprimet e njëanshme nuk i kontribuojnë marrëdhënieve tona”, shkruhet në letrën që ministri i Bujqësisë i ka dërguar homologut maqedonas, informon zëdhënësi i ministrisë së Bujqësisë në Shqipëri.


Më të lexuarat