
Qeveria shperndan 1 miliard leke per vazhdimin e projekteve
Në mes të fushatës elektorale, qeveria ndan afro 1 miliard lekë në vazhdim të projekteve të miratuara nga Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve.
Po të kihet parasysh koha që duhet për të realizuar tenderët dhe për të nisur punimet, këto janë para që premtohen sot, por do t’i përdorin të zgjedhurit e rinj që do të vihen në krye të bashkive, pas zgjedhjeve.
Rrugët
Me një vendim të datës 29 maj 2015, komiteti ka shpërndarë fonde për programin “Infrastrukturë vendore dhe rajonale”. Vetëm një javë kohë u jepet njësive të qeverisjes qendrore e vendore, si dhe agjencive zbatuese e zhvillimore, që të paraqesin datat e prokurimit të fondeve. Për projektet e miratuara për t’u financuar, brenda një jave nga data e publikimit të vendimit, duhet të paraqiten në sekretariatin teknik, pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban, kalendarët me të gjitha afatet e parashikuara për fazat e prokurimit publik dhe të zbatimit të punimeve të ndërtimit e përdorimit të fondeve, si dhe emrin e personit përgjegjës për ndjekjen e zbatimit të punimeve.
Ndërkaq, autoritetet kontraktuese për projektet duhet të kryejnë procedurat e prokurimit publik dhe të lidhjes së kontratës për zbatimin e punimeve të ndërtimit deri në fillim të tremujorit të tretë të vitit 2015. Për fondet e projekteve të paprokuruara sipas këtij afati, Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve ka të drejtën të rishqyrtojë financimin dhe t’i rishpërndajë ato për një projekt tjetër. Në këtë kuadër, Bashkisë Tepelenë i kalojnë 62,5 milionë lekë për projektin “Restaurim i fasadave, ndriçim, sistemim trotuaresh”.
Një projekt i ngjashëm vazhdon të zbatohet në Librazhd qysh nga viti i kaluar. Bashkisë Librazhd i akordohen 49,3 milionë lekë për rehabilitimin e qendrës së qytetit dhe lyerjen e fasadave, (faza II). Një institucion i financuar nga qeveria dhe që funksionon paralel me Komitetin e Zhvillimit të Rajoneve është Fondi Shqiptar i Zhvillimit, FSHZH. Ky fond do të marrë 48.7 milionë lekë për rikonstruksionin e rrugës Grykë Manati-Kolsh dhe ndërtimin e Rrugës së Varrezave, Komuna Kolsh, Lezhë.
Gjithashtu, FSHZH-ja do të financohet në vlerën 29.8 milionë lekë për projektin “Rikonstruksion i rrugës Kamçisht – Ngurrëz e Vogël”, Komuna Krutje, Lushnjë. Ndërkaq, qeveria shton edhe dy projekte të mbartura nga viti 2014, njëri në Komunën Golaj të Kukësit, për ndërtimin e rrugës së fshatit Vlahen, që kushton 32.7 milionë lekë, ndërsa tjetri është në Komunën Bogovë për riparimin e rrugën Dobrushë – Përparim me vlerë 31.4 milionë lekë.
Shkollat
Në mbledhjen e fundit, komiteti bëri edhe shpërndarjen e fondeve për projektet e programit të arsimit (nënprogrami i arsimit bazë, arsimit të mesëm dhe arsimit të lartë), për vitin 2015. Nga ky zë, Ministria e Arsimit dhe Sportit mund të përdorë fondin prej 65 milionë lekësh për zbatimin e investimeve të veta. Në krye të projekteve të miratuara është Bashkia e Urës Vajgurore që përfiton 12.8 milionë lekë për ndërtimin e palestrës dhe murit rrethues të shkollës së mesme. Një tjetër palestër do të rindërtohet në shkollën 9-vjeçare nr. 4 në Krujë, për të cilën jepet fondi 10.9 milionë lekë. Ndërsa Universitetit të Arteve Tiranë i kalojnë 15.1 milionë lekë për rikonstruksionin e sallës së lëvizjeve skenike dhe pajisjen me mjete mësimore mbështetëse. Për këto tri projekte, supervizioni dhe kolaudimi do të bëhet nga FSHZH-ja, që merr për këtë qëllim 3.8 milionë lekë.
Teknologjia
Programi tjetër, që ndjek komiteti është “Shqipëria dixhitale”. Nga ky fond, Ministria e Kulturës do të financohet me 31.8 milionë lekë, për regjistrimin e pasurisë kulturore kombëtare në regjistra fizikë dhe online. Kurse Ministria e Shëndetësisë do të aplikojë një inovacion për nënshkrimin elektronik, që do t’u mundësojë qytetarëve marrjen e shërbimeve shëndetësore online. Për këtë, komiteti jep 75.6 milionë lekë vetëm për vitin 2015.
Duket se kjo është një teknologji e kushtueshme, sepse për këtë qëllim në vitin 2014 janë dhënë 147.2 milionë lekë dhe planifikohet që vitin tjetër të ndahen 73 milionë lekë të tjera. Gjithashtu, Qendrës së Shërbimeve Publike të Integruara, në vazhdim të një projekti të vitit 2014, për menaxhimin e sporteleve të shërbimeve, i akordohen 163.7 milionë lekë. Përfituesit e projekteve në këtë fushë duhet të paraqesin në sekretariatin teknik, pranë ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, kalendarin me të gjitha afatet e parashikuara për fazat e prokurimit publik dhe të zbatimit të projektit.
Kultura
Nga shpërndarja e fondeve për programin “Art-Kulturë”, pjesë e Fondit për Zhvillimin e Rajoneve, për vitin 2015, Bashkia Korçë ka dalë më e fituara. Bashkia e Korçës përfiton fond për rikonstruksionin e Teatrit “A. Z. Çajupi”, në vlerën 15.1 milionë lekë, ndërsa Bashkia Shkodër, 17 milionë lekë për Teatrin “Migjeni”. Ndërkaq, Bashkisë Korçë i shtohet edhe një fond për një projekt të nisur vitin e kaluar me emërtimin Qendra e Mbrojtjes dhe Promovimit të Kulturës, së cilës i akordohen 23.8 milionë lekë. Zbatimi i projekteve nis nga autoritetet e reja që do të dalin pas zgjedhjeve, por jo më vonë se data 1 tetor 2015.
Lejet e ndërtimit online, sistemi kushton dy milionë dollarë
Institucioni me projektet më të kushtueshme në programin “Shqipëria dixhitale” është Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Agjencia financohet me 166 milionë lekë për projektin “Shtimi i 209 shërbimeve të reja elektronike për 18 institucione në portalin e-Albania, sipas marrëveshjes me institucionet përfituese, faza I”.
I njëjti institucion do të ndërtojë qendrën e aplikimit për leje ndërtimi. Projekti quhet “Sistemi multifunksional i qendërzuar i lejeve të ndërtimit e-lejet” dhe financohet me 80.6 milionë lekë për vitin 2015. Ky projekt është i vitit të kaluar dhe ka thithur në nisje 115.2 milionë lekë. Qëllimi i projektit është ulja e kohës së marrjes së lejes dhe eliminimi i korrupsionit.
Më të lexuarat








