BE investime ne Portin e Durresit, Alpe dhe bregdetin e Jugut
Një hua për modernizimin e Portit të Durrësit prej 18 milionë eurosh dhe një projekt për zhvillimin e Alpeve dhe zonës bregdetare në Jug, me vlerën 28.7 milionë euro, presin ratifikimin në Kuvend për të nisur menjëherë zbatimin në terren.
Huaja e destinuar për Portin e Durrësit ka të bëjë me nënshkrimin e dokumentit të ndryshimit nr.2 të kontratës financiare, me Bankën Europiane të Investimeve (BEI) më 29 prill 2015.
Porti i Durrësit Faza e dytë e projektit “Rehabilitimi i kalatave 7&8 në Portin e Durrësit”, aktualisht është në fazën e përgatitjes së dokumentacionit të tenderit. Pritet caktimi i konsulentit që do të merret me përgatitjen e dosjes.Sipas Ministrisë së Transporteve, është bërë një survejim nënujor për të parë gjendjen aktuale të këtyre kalatave. Nga ky studim rezultoi që nuk është e nevojshme një ndërhyrje radikale në këto kalata, si parashikohet në projektin aktual të rehabilitimit, por duhet një ndërhyrje në riparimin e defekteve të konstatuara.
Një situatë e tillë sjell ulje të kostove nga ato të parashikuara më herët. Fondet e mbetura mund të kanalizohen në investime të tjera në Portin e Durrësit, si për shembull thellimi i basenit dhe kanalit hyrës të Portit. Kostoja totale e projektit është 40 milionë euro, por shuma që mbulon huaja e BEI-t është 18 milionë lekë.
Zhvillimi i Alpeve dhe zonave bregdetare Ndërsa, marrëveshja tjetër e financimit, është me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Europës, për punët e komunitetit IV, të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, projekti “Zhvillimi i Alpeve Shqiptare dhe zonave bregdetare”. Ky draft parashikon marrjen e një huaje, në shumën 28 700 000 euro dhe një granti, në shumën 1 000 000 euro. Qëllimi i projektit është nxitja e zhvillimit në komunitetet lokale të Alpeve Shqiptare dhe bregdetit të Jugut, nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës publike por, në të njëjtën kohë, duke respektuar ambientin dhe duke ruajtur trashëgiminë kulturore dhe historike.
Nga ky financim bëhet e mundur kryerja e një sërë investimesh për përmirësimin e infrastrukturës publike, që ofrojnë shërbime bazë, kryesisht rrugë lokale, ujësjellës dhe kanalizime, si dhe hapësira publike, të tilla si trotuare, ndriçim dhe gjelbërim. Aktualisht, zonat e targetuara përfaqësojnë lokalitete që karakterizohen nga shërbime publike cilësore dhe infrastrukturë publike të dobët. Kjo situatë problematike në shërbime dhe infrastrukturë publike ka ndikuar negativisht në ekonominë lokale dhe, specifikisht, në zhvillimin e ardhshëm të sektorit të turizmit./Gazeta Shqip