Secondary Adv

Paga minimale 30 mije leke ne 1 janar, ekspertet: Shton kostot per biznesin

Rritja e pagës minimale do të japë efekt edhe në rritjen e konsumit sipas qeverisë, por për ekspertët ky vendim do të rrisë kostot për qytetarët. Në janar të vitit të ardhshëm paga minimale do të jetë 30 mijë lekë nga 26 që është aktualisht.

 

Teksa jemi në mbyllje të vitit 2020 i cili ishte i mbërthyer nga pandemia COVID-19, tashmë sytë janë kthyer tek pritshmëritë për vitin 2021. Një ndikim të rëndësishëm në rritjen ekonomike të vitit të ardhshëm do të kenë qytetarët, të cilët këtë vit ulën konsumin, ndërsa për qeverinë rritja e konsumit do të jetë e rëndësishme për vitin e ardhshëm.

 

“Ne kemi projektuar që konsumi, që kontribuon me gati 90% në rritjen e produktit të brendshëm bruto, do të vijë duke u rritur. Ne tani edhe rrogën minimale e rritëm që të ketë pak më tepër konsum. Rritja e pagave për mjekët dhe arsimtarët ndikon pak më shumë në konsumin e tyre. Pra, nëse do të ketë më shumë konsum, do të ketë edhe një rritje të mirëqenies së tyre”, tha Denaj më 23 tetor 2020 për Report TV.

 

Një element kryesor që pritet të ketë ndikim në rritjen e konsumit në vitin 2021 është rritja e pagës minimale. Aktualisht ajo është në vlerën e 26 mijë lekëve, ndërsa nga janari i vitit të ardhshëm do të jetë 30 mijë lekë, por edhe në këtë aspekt ekspertët janë kritik pasi sipas tyre ky vendim duhet të jetë më i konsultuar me biznesin, të cilit i rriten kostot për punonjës.

 

“Impakti i parë që ne dimë për rritjen e pagës minimale është 13 milionë euro do të hiqen nga duart e qytetarëve dhe biznesit për të shkuar në duart e shtetit”, thotë presidenti i eksportuesve shqiptar Alban Zusi. “Ndryshimi i pagës minimale absolutisht që pretendohet që të rris mirëqenien e familjeve por duhet të jetë i konsultuar me të gjitha grupet e interesit”, pohon ekspertja e ekonomisë dhe pedagogia Elona Shehu.

 

Në muajit e karantinës konsumi i qytetarëve ra me 7.5%, dhe sipas tregtarëve qytetarët zgjodhën të konsumonin vetëm për ushqime, shpenzuan për shëndetin dhe lanë mënjanë shpenzimet e tjera ato për shkak të pasigurisë. Në tremujorin e tretë të vitit në muajit e verës konsumi i popullatës ishte -3,86 % krahasuar me 2019. Në total sipas INSTAT qytetarët konsuamuan në 9 muaj të këtij viti rreth 31 miliardë lekë më pak mallra dhe shërbime se në vitin e kaluar.


Më të lexuarat