Zgjerohet harta e llojit te ri te Covid: Ja vendet europiane me rastet e para
Më shumë raste të variantit të ri të Covid janë identifikuar në Evropë.
Pasi u shfaq fillimisht në Britania e Madhe, rastet e para të të infektuarve me llojin e ri të COVID janë shfaqur edhe në Spanjë, Francë dhe Suedi. Infeksionet janë të lidhura me njerëz të kthyer nga Britania e Madhe. Franca, Danimarka, Hollanda, Italia dhe Gjermania, si dhe vende të tjera jashtë Evropës, kanë raportuar gjithashtu raste me llojin e ri të COVID në ditët e fundit. Detajet e dhëna një javë më parë të variantit të ri në Angli sollën ndalimin e udhëtimeve nga dhjetra vende, ku një prej tyre ishte dhe Shqipëria.
Shkencëtarët thonë se varianti i ri është dukshëm më i transmetueshëm se lloji i parë, por jo domosdoshmërisht më shumë i rrezikshëm. Ndërkohë Hungaria u bë vendi i parë i BE-së që filloi vaksinimin e njerëzve kundër këtij virusi. Agjencia shtetërore e lajmeve tha se marrësi i parë i vaksinës Pfizer-BioNTech atje ishte një mjek në Spitalin Qendror Del-Pest. Zëvendës shefi i shëndetit në Madrid Antonio Zapatero tha se rastet e konfirmuara në kryeqytetin spanjoll përfshinin tre të afërm të një burri që fluturoi nga Britania e Madhe të enjten.
Rasti i katërt kishte të bënte me një burrë tjetër, i cili gjithashtu kishte udhëtuar nga Britania e Madhe. Zapatero tha se asnjë nga pacientët nuk ishte i sëmurë rëndë dhe se "nuk kishte vend për alarm". Ndërkaq ai shtoi se kishte tre raste të tjera të dyshuara të variantit të rë të COVID, megjithëse rezultatet e testit nuk do të jenë gati para të martës ose të mërkurës. Agjencia shëndetësore e Suedisë tha se një udhëtar ishte i sëmurë nga COVIDI i ri, por ai ishte vetëizoluar sapo ishte kthyer nga Britania e Madhe./Burimi: Shqiptarja.com