Elektrifikimi i transportit urban: Hapet tenderi, ja qytetet ku do aplikohet
Agjencia për Eficencën e Energjisë do realizojë studimin e fizibiletit mbi elektrifikimin e linjave të transportit urban dhe ndërqytetas në Bashkinë Tiranë, Vlorë dhe Durrës.
Ky dikaster ka hapur tenderin me një fond limit prej 74.1 mln lekë, ndërsa argumenton se qëllimi i studimit është përmirësimi i eficencës së energjisë në transportin urban dhe ndërqytetas, duke ndikuar në reduktimin e gazeve me efekt serrë dhe në koston e operimit. Sipas dokumenteve të tenderit, sektori i transportit është një nga kontribuesit kryesorë të ndotjes së ajrit, duke zënë 25% të emetimeve të gazeve me efekt serrë në Bashkimin Evropian, teksa në Tiranë luan një rol të madh në përqendrimet e ndotjes, duke ndikuar në shëndetin publik.
Ndërkaq, kompania fituese e tenderit do të duhet të realizojë studimin e fizibilitetit, si dhe testimin e teknologjive të reja të autobusëve elektrikë, me qëllim identifikimin e sistemit më të përshtatshëm për zonat urbane të Tiranës (linja/t urbane më e/të përshtatshme) dhe ato interurbane (linja ndërqytetase Tiranë-Durrës, Tiranë-Vlorë). Gjithashtu, do të realizohet studim i fizibiliteti për vendosjen e pikave më të përshtatshme të karikimit, duke marrë në konsideratë itinerarin e ndjekur dhe lloji i karikimit (plug in, wireless etj).
Ndërkaq, pjesë e projektit të Agjencisë së Eficencës së Energjisë do të jetë edhe implementimi i autobusëve elektrikë në zonat urbane, si dhe në linjat ndërqytetase, përkatësisht Tiranë-Durrës, Tiranë-Vlorë si dhe ngritja e kapaciteteve dhe trajnime të ndryshme për një operim sa më eficent dhe të qëndrueshëm të sistemit elektrik të autobusëve./Burimi: Scan