Secondary Adv

Rama: Dakordesi me Pfizer per te nisur vaksinimin ne janar!

Kryeministri Rama njofton se është arritur në parim marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë amerikane Pfizer për të nisur në Shqipëri vaksinimin në janar. Kryeministri e cilëson të papranueshme diferencimin që BE i bëri Ballkanit Perëndimor.

 

Mes kritikave për Bashkimin Europian, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se është arritur parimisht një marrëveshje me kompaninë Pfizer për të siguruar doza të vaksinës anti-COVID, proces i cili do të nisë në muajin janar. Kjo arritje, për kreun e qeverisë ka ardhur vetëm si rezultat i diplomacisë shqiptare dhe kontakteve në New York dhe jo mbështetjes së BE-së.

Nisur nga kjo, Rama thotë se ky diferencim i bërë sipas tij nga BE për vendet e Ballkanit Perëndimor është i papranueshëm në çdo aspekt, edhe pse pavarësisht kësaj, shton se Shqipëria ia doli që të siguronte marrëveshjen.


"Në kushtet skajshmërisht të vështira si pasojë e kërkesës globale marramendëse dhe sasisë ende tejet të vogël të prodhimit, kemi dakordësuar në parim pas kontaktesh intensive nga të katër anët, tekstin e marrëveshjes me Pfizer për të nisur vaksinimin në janar! I papranueshëm moralisht, polikisht, logjikisht diferencimi që BE-ja i bëri Ballkanit po ia dolëm sidoqoftë me diplomaci e me këmbëngulje të mos mbetemi mbrapa askujt. Dhe nuk do të ndalemi deri në sigurimin e dozës së fundit”, shkruan Rama.



Një përgjigje nuk e ka nguruar as po opozitën, që e ka akuzuar se nuk ka bërë asgjë për të siguruar vaksinën anti-COVID.

“Fjalët mbrapsht atyre që vazhduan me sharje e akuza”, shkruan mes të tjerave Rama.

Më herët, Rama tha se është në bisedime dhe me kompaninë  AstraZeneca dhe në fund me Moderna-n. Kjo marrëveshje është arritur pas një vizite 4 ditore në SHBA të kryeministrit Edi Rama në fillim të muajit dhjetor, ku ka njoftuar se ka pasur një kontakt të drejtpërdrejtë me bosin e Pfizer, Albert Burla, në qendrën e kompanisë prodhuese të vaksinës në Nju Jork.


Vaksinimi do të jetë falas dhe jo i detyrueshëm dhe do të nis me mjekët e infermierët që janë në vijën e parë të betejës COVID-19 dhe më pas me mësuesit si edhe policët për të filluar më pas me popullsinë në masë. Vaksinimi është planifikuar që të zhvillohet në stadiumin kombëtar me qëllim që të shmanget radha dhe të ruhet distancomi social.


Më të lexuarat