44 per qind e shqiptareve marrin borxh nga te afermit
Kur bëhet fjalë për borxh, 44 për qind e shqiptarëve preferojnë t’u drejtohen familjarëve të tyre. Më pak gjejnë edhe mënyra të tjera, siç mund të jenë huadhënësit privatë informalë (fajdexhinjtë), gati 2.2 për qind apo edhe punëdhënësit gati 10 për qind.
Janë këto shifrat që kanë dalë nga anketat e zhvilluara për llogari të Bankës Botërore nga Gallup International, gjetjet e të cilave janë publikuar në raportin Findex 2014.Ky raport merr parasysh gjithë aspektin financiar formal dhe informal, përfshirjen e të varfërve dhe më të pasurve në sistem dhe si përdoret paraja.
Situata Huaja formale zë pjesën më të madhe në Shqipëri dhe është ajo hua e marrë nga banka. Nga të anketuarit rezulton që vitin e kaluar 56 për qind t’i jenë drejtuar sektorit bankar për një kredi dhe ta kanë marrë atë. Nga totali i femrave të anketuara, rezulton se 58 për qind e tyre kanë marrë një kredi, ndërkohë që për meshkujt kjo shifër është më e vogël, pasi vetëm 52 për qind e meshkujve të anketuar kanë raportuar për një kredi.E ndërsa 56 për qind kanë raportuar për një kredi, po kaq kanë janë përgjigjur gjatë anketës se disponojnë një depozitë në bankë, e cila në fakt është e shoqëruar edhe me një llogari rrjedhëse për pagën.
Nga indeksi rezulton se 30 për qind e të anketuarve për Shqipërinë nuk kanë kryer asnjë veprim pranë bankave gjatë vitit të kaluar, duke treguar edhe një herë se një pjesë e mirë e popullsisë mbetet jashtë bankave dhe veprimet në para informale.Të ardhurat nga emigrantët mbeten një tjetër aspekt i rëndësishëm i ekonomisë sonë, por anketa tregon se vetëm 27 për qind e atyre që janë përgjigjur, kanë marrë të ardhura nga dikush jashtë vendit për vitin e kaluar.
Arsyet Arsyet për marrjen e një borxhi në bankë apo në mënyrë informale janë të ndryshme, duke filluar nga pagesa e tarifave të shkollimit, te nisja e një biznesi apo edhe shëndeti. Madje, ajo që është e çuditshme, por që mund të shihet disi problematike, është fakti që jo pak, por 22 për qind, kanë marrë një kredi për arsye shëndeti. Për shkollim kanë marrë kredi vetëm 11 për qind, sipas anketës së Bankës Botërore, kurse për të nisur apo zgjeruar një biznes vitin e kaluar kanë marrë kredi vetëm 3.9 për qind.
E ndërsa një pjesë e mirë u drejtohen bankave apo borxheve informale për të dalë nga një situatë emergjence, ka edhe nga ata që në ditë të tilla mbështeten vetëm te kursimet. Sipas anketës, gati 13 për qind e tyre do të përdornin kursimet që lënë mënjanë për një situatë tëpapritur./Panorama