Shqiperia nis sot vaksinimin anti- Covid: Ja kush vaksinohen te paret
Ditën e sotme do të nisë në Shqipëri vaksinimi i personave të parë anti-COVID.
11 janari i 2021 do të jetë një ditë shumë e rëndësishme për vendin në rrugën për t'i dhënë fund betejës disa mujore me COVID-19. Procesi do të nis pasditen e kësaj të hëne, teksa është parashikuar edhe një konferencë nga Ministria e Shëndetësisë ku do të japë më shumë detaje. Nën moton 'Shqipëria buzëqesh", vaksinimi do të realizohet në stadiumin kombëtar 'Air Albania' me qëllim shmangien e grumbullimeve dhe radhëve të gjata! Në të gjithë ambientin e stadiumit janë vendosur 60 postacione ku do të kryhet vaksina dhe puna do të vijojë për 8-10 orë në ditë. Në total është parashikuar vaksinimi i 60 qytetarëve në orë.
Bluzat e bardha, që janë në vijën e parë të përballjes me COVID do të jenë të parët që do të vaksinohen, për të vijuar më pas me mësuesit, policët dhe moshat madhore mbi 75-vjeç. Zyrtarisht Shqipëria ka siguruar 500 mijë doza vaksine anti-COVID të Pfizer nga kompania BioNTech, teksa siç ka bërë të ditur më herët Rama, vijojnë bisedimet me Astrazeneca dhe Moderna. Theksojmë se vaksinimi është falas dhe jo me detyrim. Kryeministri Edi Rama ka bërë një përmbledhje të luftës së Shqipërisë përballë COVID, teksa shkruan se sot me nisjen e vaksinimit lufta ndaj armikut të padukshëm hyn në fazën e ofensivës së madhe për largimin e tij përfundimtar.
“Mirëmëngjes dhe pak orë nga nisja e fushatës së vaksinimit Shqipëria Buzëqesh duke ju marrë pak minuta nga koha juaj, për të hedhur vështrimin pas në orët, minutat, ditët, javët e muajt e jashtëzakonshëm të luftës me Armikun e Padukshëm, e cila sot hyn në fazën e ofensivës së madhe për largimin e tij përfundimtar nga jeta jonë, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.
Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë në luftën ndaj COVID-19
771 mjekë në vijën e parë
1936 infermierë e laborantë
134 epidemiologë
979 staf mbështetës
3500 vullnetarë
6 milion mjete mbrojtëse për stafin mjekësor
4 laboratorë për testim
51 pika të testimit të shpejtë në komunitet
507 respirator
550 shtretër në 4 spitalet COVID
1600 shtretër për spitalet rajonale COVID./Burimi: Shqiptarja.com