Në vendimin e qeverisë “Për përcaktimin e kritereve, procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira të pasurisë shtetërore” bëhet një shtesë që e mundëson përdorimin e tyre për investitorët strategjikë. Tashmë, Ministria e Ekonomisë, për tokat e pafrytshme mund të lidhë kontrata deri në 10 vjet.
Për pronat shtetërore, për të cilat ka përfunduar procedura e privatizimit dhe nuk janë shitur, por kanë kaluar në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave si fond kompensimi fizik për ish-pronarët, kur ka kërkesa për zhvillimin e tyre nëpërmjet kryerjes së investimeve, Ministria e Ekonomisë i kryen procedurat për kalimin e një prone tjetër me vlerë të njëjtë ose më të madhe në fondin e kompensimit fizik dhe i kërkon kësaj agjencie kthimin e dokumentacionit të pronës së kërkuar dhe heqjen e saj nga lista e fondit të AKKP.
Në këto raste, ministria kryen procedurat për dhënien e kësaj prone në përdorim sipas procedurave. Tarifat dhe vlera dysheme të qirasë mujore për pasuritë shtetërore që jepen me qira ose enfiteozë në rastin e tokave të pafrytshme, tarifat dysheme do të jenë të njëjta me ato për tokat bujqësore. Kur vlera e investimit është mbi 200 milionë lekë, këto toka jepen me qira 1 euro./Gazeta Shqip