Secondary Adv

OSHEE investon 800 mln leke per infrastrukturen energjitike ne Durres

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka filluar fazën e investimeve në zonat më problematike të Durrësit. Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, drejtori i OSHEE-së Adrian Çela dhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako inspektuan fillimin e punës në zonën e Ish-Kënetës.


“Sot inaugurojmë fillimin e punimeve për LOT 1 në zonën e ish-Kënetës në Durrësin e ri. LOT 1 ka një vlerë prej 83 milion lekë të reja. Brenda javës tjetër do të fillojnë punimet për LOT 2 që shkon në 360 milion lekë të reja ndërsa janë edhe tre LOT-e të tjera. Totali i investimeve në Durrës shkon në 800 milion lekë të reja”, u shpreh Çela duke shtuar se këto investime shkojnë për zonën e ish-Kënetës, Spitallës dhe Sallmones.


Nga këto investime parashikohet të investohet për ndërtimin e 60 kabinave të reja, shtyllave, zëvendësim të rreth 50 kilometër kabllo të tensionit të mesëm dhe rreth 30 kilometër kabllo të tensionit të ulët. Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri tha se investimet po përqendrohen tek zonat që kanë pasur më shumë probleme me energjinë elektrike, tek zonat që kanë humbjet më të mëdha dhe që meritojnë furnizim më të mirë me energji elektrike.


“Qeveria shqiptare dhe Operatori i Shpërndarjes kanë ndërmarrë një plan të gjërë investimesh në sektorin energjetik gjë që do të materializohet me shërbim më të mirë për popullatën, ulje drastike të humbjeve, por mbi të gjitha do të bëjë që qytetarët ta ndjejnë se kontributi që ata kanë dhënë me pagesat e energjisë, patjetër do tu kthehet në një shërbim më të mirë”, tha Gjiknuri.Ministri shtoi se sektori energjetik, rimëkëmbjen po e fillon jo vetëm me arkëtime dhe situatë financiare më të mirë por mbi të gjitha po kryen investimet të munguara prej vitesh në shpërndarje.


Ndërsa kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako tha se ky investim është tej mase i rëndësishëm për të përmirësuar cilësinë e jetës së banorëve të kësaj zone. “Dua të falënderoj sërish kompaninë OSHEE për rreth 8 milion dollarë investime që do të realizojë në Bashkinë e re të Durrësit, investime nga të cilat janë përfitues të drejtpërdrejtë qytetarët por janë të vlefshme edhe për sektorin e turizmit”, tha Dako.


Sipas të dhënave të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në zonën e ish-Kënetës, Spitallës dhe Sallmones niveli i humbjeve në rrjet shkon në rreth 45%. Kryerja e investimeve parashikon zbritjen e nivelit të humbjes për këto zona deri në masën 12%. Projekti do të zgjasë 3-6 muaj dhe do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji për mbi 10 mijë familjarë e biznese.


Më të lexuarat