Secondary Adv

Qeveria rikthen skanimin ne dogana

 

Grupi negociator i qeverisë arrin marrëveshje në arbitrazhin ndërkombëtar me kompaninë koncesionare “Rapiscan”, i skanimit të kontejnerëve dhe automjeteve në pikat doganore.


Tarifa, që bizneset do të paguajnë për skanimin e konteinerëve në dogana nuk do të jetë 39 euro për deklaratë, si në variantin fillestar, por do të ulet në 22 euro. Qeveria njoftoi se ka arritur të ndryshojë me mirëkuptim koncesionin e shumëkundërshtuar nga biznesi, duke bërë të mundur - sipas saj - uljen e tarifave dhe kostove për sipërmarrjen.Qeveria ka paraqitur në Kuvend draftin e ri, i cili parashikon rishikimin e kontratës me kompaninë amerikane, duke bërë të mundur uljen e tarifave dhe kostove për sipërmarrjen.


Përmes ndryshimit të negociuar me mirëkuptim, i ka kursyer ekonomisë dhe sipërmarrjeve më shumë se 100 milionë euro për 15 vitet e ardhshme.


Sipas relacionit të publikuar tarifa vjetore e vendit për secilin, gjatë 12 muajve të parë, duke filluar nga data e fillimit, do të jetë 2.26 milionë euro, ndërsa rritja vit pas viti e tarifës vjetore do të jetë 1.03%. Po sipas këtij relacioni, tarifa koncesionare sipas marrëveshjes së re do të jetë 2% dhe koncesioni do të zgjasë 15 vjet.


Ndërsa në të gjithë vendin do të jenë 5 pika kontrolli, tre fikse dhe dy të lëvizshme.
Edhe pse ka reduktuar tarifën, nga 39 në 22 euro për deklaratë, ky koncesion rëndon jo pak kostot mbi biznesin, veçanërisht në disa industri, si ajo e fasonit, të cilat kanë një numër të madh deklaratash doganore në vit. Sipas përfaqësuesve nga kjo industri, koncesioni mund të rrisë kostot deri në 7 mijë euro në muaj për kompani të caktuara.


Më të lexuarat