Secondary Adv

Bizneset nuk vuajne per likuiditet: Depozitat jane rritur me gati 13 per qind

Llogaritë e biznesit në banka nuk janë prekur shumë nga kriza ekonomike. 

 

Të dhënat e bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të nëntorit 2020 depozitat bankare të bizneseve kishin vlerën e 210.5 miliardë lekëve ose rreth 1.7 miliardë eurove. Depozitat e bizneseve janë rritur me 12.6% (23.6 miliardë lekë) krahasuar me një vit më parë dhe me 9.6% (rreth 19 miliardë lekë) krahasuar me muajin prill, periudhë që përfaqësoi momentin më të vështirë për aktivitetin ekonomik nga masat drastike kufizuese për të frenuar përhapjen e pandemisë. Kjo tendencë është e kundërt nëse e krahasojmë me vitin paraardhës. Në periudhën nëntor 2018-nëntor 2019, depozitat e biznesit rezultuan në rënie me 18 miliardë lekë.

 

Trajektorja e depozitave të biznesit dëshmon një fakt të rëndësishëm, atë që bizneset shqiptare nuk kanë vuajtur për likuiditet gjatë kësaj periudhe. Përkundrazi, fondet në llogaritë e sipërmarrjeve janë rritur. Kjo mund të shpjegohet me disa faktorë. Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik e ka ulur volumin e aktivitetit të biznesit, që ka vendosur në punë më pak para gjatë kësaj periudhe. Kjo ka bërë që më shumë fonde të ngelen të disponueshme në llogaritë bankare. Gjithashtu, tendenca e përgjithshme për të kursyer pas krizës, fenomen i vërejtur në shumicën e ekonomive europiane, duket se veç konsumatorëve ka prekur edhe bizneset.

 

Pasiguria për të ardhmen, e lidhur me ciklin e pandemisë së Covid-19, ka krijuar një tendencë për ulje të shpenzimeve dhe ruajtje të burimeve financiare deri në daljen nga kriza. Një faktor tjetër me ndikim të konsiderueshëm është edhe vijimi i mbështetjes me kredi nga sektori bankar. Përkohësisht, ruajtja e likuiditetit të biznesit u ndihmua nga shtyrja e kredive për pothuajse gjashtë muaj. Shtyrja e kësteve të kredisë iu ka mundësuar bizneseve shqiptare likuiditete në vlerën e rreth 188 milionë eurove. Banka e Shqipërisë vlerëson se ndikimi financiar i shtyrjes së kredive, vetëm në segmentin e sipërmarrjes, arriti në 23.3 miliardë lekë, ose rreth 11% e fondit total vjetor të pagave.

 

Pas mesit të vitit 2020, kreditimi i ekonomisë, përfshi biznesin, i është kthyer ritmeve normale, madje më të larta krahasuar me një vit më parë. Bankat kanë vazhduar të mbështesin bizneset me linja financimi, duke lënë në dispozicion likuiditete që, për shkak të situatës, mund të jenë përdorur më pak se në vitet e shkuara. Depozitat e biznesit përbëjnë përbëjnë rreth 16.7% të totalit të depozitave bankare në Shqipëri. Edhe pesha e tyre specifike është rritur krahasuar me një vit më parë, kur ato përbënin rreth 15.8% të totalit./Burimi: Monitor


Më të lexuarat