Secondary Adv

Rikonceptimi i parkut 7 Xhuxhat ne Rrugen e Elbasanit | Bashkia Tirane | 2017

Bashkia e Tiranës njoftoi hapjen e tenderit për rikonceptimin e parkut te Rruga e Elbasanit, i njohur si “7 xhuxhat”, si dhe ndërtimin e një parkimi me dy kate nëntokë. Fondi limit i llogaritur në shpalljen e Bashkisë është rreth 2 milionë euro.

Në total, parkimi do të garantojë 146 vende për automjete dhe kjo argumentohet me faktin që zona është njëra prej më të frekuentuarave dhe me trafik më të lartë në kryeqytet. Operatorët duhet të shfaqin interes deri më 1 nëntor 2017.



Zona e parkut dhe parkimit
Sheshi pozicionohet në kryqëzimin e bulevardit “Bajram Curri” me Rrugën e Elbasanit. Pjesa që propozohet për zhvillim kufizohet në orientimin verior me bulevardin “Bajram Curri”, në orientimin jugor me rrugën “Fatmir Haxhiu”, në orientimin perëndimor me shesh në potencial zhvillimi në të ardhmen dhe në orientimin lindor me Rrugën e Elbasanit. Sipërfaqja e pronës është 3 087 m².

Konceptimi urbanistik dhe arkitektonik
“Projekti koncepton zhvillimin e një parku rekreativ dhe park lojërash i shfrytëzueshëm nga të gjitha moshat. Përveç funksionit rekreativ është menduar edhe funksioni si parkim publik në shërbim të qytetit. Kjo është një zonë me densitet të lartë dhe plotësimi me një parkim nëntokësor ndihmon në lehtësimin e një nga problematikave më të mëdha të qytetit të Tiranës në ditët e sotme.

Parkimi publik është projektuar 2 kate nëntokë dhe ofron 146 vendparkime në total + 2 vende parkimi për PAK (persona me aftësi të kufizuar), respektivisht 68 vende parkimi + 1 vend parkimi PAK në nivelin -1 dhe 78 vende parkimi +1 vend parkimi PAK në nivelin -2.

Në katin -1 (parkim) janë pozicionuar edhe blloku i nyjeve higjienosanitare që do t’i shërbejnë parkut rekreativ.

Për sa i përket lëvizshmërisë ajo realizohet me shkallë (të izoluara për raste zjarri) dhe ashensor.

Në pjesën e sipërme është konceptuar këndi rekreativ i ndarë në module gjatësore me gjerësi fikse 4 m. Këto module në formë shiritash gjatësorë ndërpriten nga rrugicat 80 cm të gjera si në anën gjatësore ashtu edhe tërthore duke krijuar module më të mbledhura drejtkëndore dhe katrore. Në këto module shpërndahen funksionet e ndryshme të parkut, si loja e shahut, ndërtim infopoint, shatërvan, lojëra për fëmijë, sheshi i pasqyrave, vazeta e gjelbëruar, vazeta e pemës etj. Për sa i përket gjelbërimit është menduar të sillen të gjitha tipologjitë e lartësive, bimësi e ulët, bimësi e mesme dhe bimësi e lartë. Në konceptin tonë edhe vetë lloji i bimësisë brenda së njëjtës tipologji duhet të variojë për t’i dhënë parkut ngjyra të gjalla dhe të ndryshme. Kështu krijohet një atmosferë e gjallë dhe e këndshme” thuhet në relacionin e Bashkisë e Tiranës.

 

Me shume projekte ne Shqiperi