Nafta rritet serish sot ne bursa, pritet takimi i OPEC
Nafta po shfaqet e qëndrueshme në sesionin e sotëm, pas dy ditësh me radhë në rritje të konsiderueshme.
Investitorët po presin takimin e OPEC+ që zhvillohet më vonë gjatë ditës së sotme, ku me shumë mundësi do të vendoset ulja e kuotave të prodhimit. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në mbi 91.5 dollarë për fuçi, ndërsa në sesionin e kaluar u rrit me rreth 3 dollarë.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 86.5 dollarë për fuçi, pas rritjes me 2.9 dollarë një ditë më parë. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatët e tjerë, që ndryshe njihen si OPEC+.
Do të takohen në Vjenë më vonë gjatë ditës së sotme, për të diskutuar uljen e prodhimit mes 1 dhe 2 milionë fuçive në ditë. Kjo do të ishte ulja më e madhe e prodhimit që kur globi u godit nga pandemia e Covid-19.
Vendimi do të vijë pavarësisht thirrjeve të Shteteve të Bashkuara për të mos ulur kuotat e prodhimit. Furnizimi i tregut mund të tkurret akoma më shumë, pasi në dhjetor do të hyjnë në fuqi sanksionet e Bashkimit Europian ndaj naftës ruse.
Në anën tjetër, kërkesa mund të ngadalësohet ndjeshëm, si pasojë e mundësive që bota të shkojë drejt recesionit në vitin 2023./Burimi: SCAN