Secondary Adv

Dhoma e Tregtisë: Protestat në shtetet fqinje po dëmtojnë bizneset e Kosovës

Bllokadat kufitare dhe sistemi i ri EES po rrezikojnë eksportin, importin dhe zinxhirin e furnizimit.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka shprehur shqetësim të thellë për protestat e transportuesve në shtetet fqinje, të cilat po pengojnë seriozisht eksportin dhe importin e mallrave drejt dhe nga tregjet e Bashkimit Evropian, duke shkaktuar vonesa, kosto shtesë dhe rrezik për humbje ekonomike për bizneset kosovare.

 

Sipas DHTIK-së, protestat e kompanive transportuese në rajon kanë pamundësuar në masë të madhe qarkullimin normal të mallrave, duke krijuar vështirësi të konsiderueshme për kompanitë vendore që operojnë me tregjet evropiane. Institucioni u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të angazhohen me Bashkimin Evropian për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë për situatën e krijuar.

 

Sistemi EES dhe ndikimi në transport

Dhoma e Tregtisë ka kërkuar gjithashtu që BE-ja të ndërmarrë veprime urgjente për menaxhimin e situatës së krijuar nga zbatimi i sistemit të ri Entry/Exit System (EES), i cili ka nisur gradualisht më 12 tetor 2025 në kufijtë e jashtëm të zonës Schengen dhe pritet të jetë plotësisht funksional deri më 10 prill 2026. Sipas DHTIK-së, kjo çështje është jetike për funksionimin normal të zinxhirit të furnizimit dhe për ruajtjen e stabilitetit të biznesit në Kosovë.

 

Transportues nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina dhe Mali i Zi kanë nisur bllokimin e pikave kufitare për qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen që nga mesdita e 26 janarit, si reagim ndaj sistemit të ri të kontrollit të hyrje-daljeve, të cilin ata e konsiderojnë shkaktar të vonesave, penalizimeve dhe humbjeve ekonomike. Transportuesit kanë paralajmëruar se bllokadat do të zgjasin shtatë ditë nëse nuk gjendet zgjidhje.

 

Pasojat për Kosovën dhe reagimet institucionale

Kosova, si importuese e një pjese të madhe të mallrave përmes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, pritet të ndiejë pasojat e menjëhershme të këtyre bllokadave. Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit ka njoftuar se, sipas autoriteteve serbe, do të ketë ndërprerje të qarkullimit të kamionëve në të gjitha pikat kufitare me Serbinë, ndërsa bllokada të ngjashme janë paralajmëruar edhe nga Mali i Zi, përfshirë aksin rrugor nga Rozhaja drejt pikës kufitare Kulla.

 

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka theksuar se Kosova nuk është pjesë e protestave, pasi nuk ka kompani logjistike që operojnë drejtpërdrejt me vendet e BE-së, por efektet e bllokadave do të ndihen fuqishëm. Ai deklaroi se për shkak të bllokadave, Kosova nuk do të mund të eksportojë dhe as të importojë mallra, duke rikujtuar se importet vjetore tejkalojnë 7 miliardë euro, ndërsa eksportet arrijnë rreth 942 milionë euro.

 

Në përpjekje për zgjidhje, gjashtë Oda Ekonomike të Ballkanit Perëndimor i kanë dërguar një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 20 janar, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme dhe duke paralajmëruar se masat e reja mund të shndërrohen në një sfidë serioze ekonomike dhe politike për rajonin.

 

Komisioni Evropian ka bërë të ditur se sistemi EES nuk ndryshon rregullat ekzistuese, por synon zbatimin më efikas të tyre, ndërsa përfaqësuesit e transportuesve këmbëngulin se realiteti në terren ka ndryshuar, pasi shumica e shteteve përreth janë tashmë pjesë e zonës Schengen. Ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolovski, ka kërkuar shtyrjen e zbatimit të sistemit për shoferët profesionistë ose pajisjen e tyre me viza të posaçme pune, për të shmangur dëmet në sektorin e transportit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat