Secondary Adv

Shtrenjtimi i kafesë nuk ndalet, rritja më e lartë në tre vjet, por konsumi arrin rekord

Çmimi i kafesë u rrit me 5.4% vitin e kaluar, ndërsa konsumi arriti nivele rekord falë turizmit.

Vitin e kaluar, çmimi mesatar i kafesë u rrit me 5.4%, ritmi më i lartë që nga viti 2022. Një filxhan kafe në zonat më të frekuentuara të Tiranës kushton tashmë minimumi 110 lekë, nga 80–90 lekë që ishte në fillim të vitit 2025, ndërsa në periferi çmimi minimal është rritur në 80–90 lekë, nga 60–70 lekë më parë. Rritja e çmimit ka shkuar përtej përballueshmërisë së një shpenzimi të vogël, duke prekur drejtpërdrejt ritualin e përditshëm social, në një vend me densitet të lartë baresh, ku kafeja është pikë takimi për punë, biseda dhe pushim.

 

Kafeja po shndërrohet gradualisht në një barrë më të rëndë sidomos për të rinjtë, pensionistët dhe punonjësit me paga fikse, ndërsa nga tregu pohohet se shtrenjtimi lidhet kryesisht me rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe me rritjen e konsumit nga turistët. Importet e kafesë vitin e kaluar arritën në një rekord prej 8.1 mijë tonë, me rritje 5.3% krahasuar me vitin 2024, sipas të dhënave doganore.

 

Oferta globale dhe ndikimi i klimës

Shkaku kryesor i rritjes së fortë të çmimeve lidhet me ofertën globale të kafesë, e ndikuar nga ndryshimet klimatike. Prodhuesit kryesorë, veçanërisht Brazili dhe Vietnami, janë goditur nga episode të motit ekstrem, si thatësira të zgjatura të ndjekura nga reshje intensive, që kanë dëmtuar rendimentin. Kafeja është një kulturë shumë e ndjeshme ndaj ndryshimeve të temperaturës dhe reshjeve, ndaj edhe devijime të vogla përkthehen shpejt në rënie prodhimi dhe rritje çmimesh.

 

Kërkesa në rritje dhe roli i turizmit

Në të njëjtën kohë, kërkesa globale për kafe ka vijuar të rritet, sidomos në Azi dhe në tregjet urbane të vendeve në zhvillim, ku konsumi po rritet më shpejt se në Europë dhe Amerikën e Veriut. Ky kombinim i kërkesës në rritje me ofertën e kufizuar ka krijuar presion të drejtpërdrejtë mbi çmimet ndërkombëtare. Shqipëria ka hyrë gjithashtu në një fazë ku kërkesa për kafe nxitet fort nga flukset turistike, me mbi 12 milionë vizitorë gjatë vitit 2025, duke e kthyer konsumin e kafesë në qytete si Tirana, Durrësi, Vlora dhe Saranda në pjesë të industrisë së turizmit.

 

Për bizneset, kjo ka ndryshuar logjikën e çmimit, pasi kafeja nuk shitet më vetëm për konsumatorin vendas me të ardhura mesatare, por edhe për turistin europian që është i mësuar të paguajë 3–5 euro për një ekspres. Kur një pjesë e konsiderueshme e klientëve është e gatshme të paguajë më shumë, çmimi i tregut zhvendoset lart për të gjithë, duke ndikuar edhe vendasit.

 

Ndikimi te bizneset e vogla

Rritja e çmimit të kafesë po ndikon drejtpërdrejt edhe në strukturën e bizneseve të vogla, të cilat janë të lidhura ngushtë me këtë produkt. Në shumë bare shqiptare, kafeja përbën një pjesë të madhe të xhiros dhe të fitimit, ndërsa në një mjedis të dominuar nga turizmi, zgjedhja shpesh anon drejt rritjes së çmimeve, duke e zhvendosur modelin e biznesit gjithnjë e më shumë drejt konsumatorit të huaj.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat