Frika nga autizmi ul vaksinimin, vendi në rrezik epidemik
Refuzimi i vaksinës FRP/MMR po rritet pas pandemisë, me Vlorën, Lezhën dhe Tiranën në nivele alarmante.

Që prej pandemisë, numri i prindërve që refuzojnë vaksinimin e fëmijëve është rritur ndjeshëm, duke krijuar rrezik real për shpërthime epidemike në vend. Vlora, Lezha dhe Tirana rezultojnë zonat më problematike, me përqindje të larta fëmijësh të pavaksinuar, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se rikthimi i mbulesës vaksinale mbi 95% është jetik për shëndetin publik. Të dhënat për periudhën 2015–2024, të siguruara nga Instituti i Shëndetit Publik, tregojnë se vaksinimi ka ardhur në rënie pas pandemisë, pavarësisht se shërbimi vaksinor mbetet i aksesueshëm në të gjithë vendin.
Në Qarkun e Vlorës, rreth 18 për qind e fëmijëve nuk kanë marrë vaksinën e detyruar gjatë vitit 2024, një shifër që konsiderohet shumë e lartë dhe shqetësuese. Edhe në qarqe të tjera të mëdha, refuzimi i vaksinimit mbetet problematik. Autoritetet shëndetësore theksojnë se në rastet e shfaqjes së fruthit dhe sëmundjeve të tjera ngjitëse në moshat pediatrike, është konstatuar se fëmijët e prekur kanë qenë të pavaksinuar, duke treguar një lidhje të drejtpërdrejtë mes rënies së mbulimit vaksinal dhe rrezikut epidemik.
Dezinformimi dhe frika nga autizmi
Shtimi i rasteve të autizmit në grupmoshat 2–3 vjeç shpesh është lidhur nga prindërit me kryerjen e vaksinave, veçanërisht vaksinës FRP/MMR, pavarësisht se kjo teori nuk ka asnjë bazë shkencore. Ekspertët shpjegojnë se kjo frikë buron nga një artikull i publikuar në vitin 1998 në revistën “The Lancet” nga Andrew Wakefield, i cili më vonë u tërhoq për shkak të shkeljeve serioze etike dhe metodologjike. Megjithatë, teoritë konspirative dhe informacionet e pakonfirmuara që qarkullojnë në rrjetet sociale kanë ndikuar në rritjen e hezitimit dhe refuzimit të vaksinimit nga disa prindër.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, vaksinat që hasin më shpesh problematika në zbatimin e tyre janë vaksina FRP, që aplikohet në moshën 12–15 muaj, dhe vaksina kundër HPV-së, e cila aplikohet në moshën 13 vjeç. Për vaksinën HPV, disa prindër e perceptojnë atë si të re në Shqipëri, ndonëse ajo përdoret globalisht prej më shumë se 20 vitesh dhe ka një profil të lartë sigurie dhe efikasiteti në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës dhe sëmundjeve të tjera të lidhura me HPV.
Rregulla që nuk zbatohen njësoj
Një nga masat kryesore për të nxitur vaksinimin është kushti i paraqitjes së kartelës së vaksinimit për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe, kopshte dhe shkolla publike. Megjithatë, ky rregull nuk zbatohet gjithmonë në sektorin privat. Gjatë vitit 2025, u evidentua një shpërthim fruthi në një çerdhe private në Fier, ku fëmijët e prekur rezultuan të pavaksinuar, duke nxjerrë në pah nevojën për zbatim të njëtrajtshëm të kritereve të vaksinimit në të gjitha institucionet.
Qarqet më problematike
Sipas të dhënave të ISHP-së, qarku me mbulimin më të lartë vaksinal është Dibra, ku edhe gjatë pandemisë niveli i vaksinimit ka qenë shumë i lartë, në disa vite deri në 100 për qind. Në të kundërt, Vlora paraqet situatën më problematike, me vetëm 82.3 për qind të fëmijëve të vaksinuar në vitin 2024. Lezha gjithashtu shfaq rënie të mbulimit vaksinal që nga periudha e pandemisë, ndërsa Tirana dhe Shkodra, megjithëse me përqindje më të ulët refuzimi, përbëjnë rrezik për shkak të numrit të madh të popullsisë, ku 3–4 për qind e fëmijëve rezultojnë të pavaksinuar.
Instituti i Shëndetit Publik thekson se pandemia COVID-19 ka ndikuar ndjeshëm në programet e vaksinimit, një fenomen i vërejtur edhe në nivel global. Pas pandemisë, janë organizuar fushata sensibilizuese, trajnime për stafin mjekësor dhe komunikim i shtuar me prindërit hezitues, me synimin për rikthimin dhe ruajtjen e mbulimit vaksinal mbi 95 për qind, sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Burimi: Faktoje.al
Më të lexuarat






