Secondary Adv

Reforma territoriale, Demo: Ndryshimet do të bazohen në të dhëna ekonomike dhe demografike

Reforma territoriale nuk do të jetë thjesht ndryshim kufijsh, por riorganizim funksional për zhvillim dhe integrim.

Reforma territoriale, e cila pritet të zërë një peshë të rëndësishme në axhendën e qeverisë gjatë këtij viti, nuk do të jetë thjesht një rishikim i kufijve administrativë. Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, theksoi se procesi do të bazohet në të dhëna ekonomike, demografike dhe në analizën e funksioneve që bashkitë kanë arritur ose jo të ofrojnë gjatë dhjetë viteve të fundit, me synimin për të ndërtuar një reformë afatgjatë dhe të qëndrueshme që mbështet edhe procesin e integrimit europian.

 

Demo u shpreh se zhvillimet ekonomike dhe ndryshimet demografike janë faktorë kyç që duhet të merren parasysh në reformë, duke nënvizuar se bashkitë duhet të kenë asetet dhe kapacitetet e duhura për t’u përballur me sfidat e rritjes ekonomike. Sipas tij, tashmë ekziston një eksperiencë dhjetëvjeçare mbi funksionimin e territorit, e cila duhet analizuar për të kuptuar se cilat funksione janë kryer me sukses dhe cilat kanë dështuar, si dhe arsyet për këto mangësi.

 

Reforma si proces funksional dhe jo vetëm territorial

“Reforma territoriale nuk duhet parë si një proces që thjesht ndryshon kufijtë. Ajo duhet të bazohet në të dhëna, në eksperiencë dhe në një analizë të sinqertë të realitetit në territor. Duhet të shohim si është menaxhuar territori, sa interaktiv është qytetari me institucionet dhe si mund të përmirësohet ky raport”, tha Demo, duke shtuar se trendet demografike dhe ekonomike të vendit janë të qarta dhe duhet të reflektohen në reformë.

 

Ai theksoi se reforma pritet të prekë edhe funksionet dhe kompetencat e bashkive, por kjo kërkon një analizë të thelluar që do të realizohet nga komisioni parlamentar i posaçëm, proces i cili, sipas tij, do të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës.

 

Integrimi europian dhe sfidat për bashkitë

Sipas ministrit, procesi i integrimit europian përbën një nga elementët më të rëndësishëm që e bën reformën territoriale të domosdoshme. Axhenda ambicioze për mbylljen e kapitujve të negociatave deri në vitin 2027 do të sjellë një valë të re rregullative, e cila do të përkthehet në standarde dhe përgjegjësi të reja për bashkitë. Demo theksoi se ky proces është kompleks dhe se bashkitë, për shkak të karakteristikave të ndryshme që kanë, përballen edhe me sfida të mëdha në burimet njerëzore.

 

Financat vendore, investimet dhe standardizimi

Ministri bëri të ditur se viti 2026 do të jetë i pari kur bashkitë do të administrojnë në nivel lokal rreth 1.2 miliardë euro nga të ardhurat e tyre dhe transfertat nga buxheti i shtetit. Ai nënvizoi gjithashtu se një fond prej 20 milionë eurosh, i ardhur si grant nga Emiratet, do t’u kalojë bashkive, kryesisht për mjete të rënda dhe logjistikë, me fokus në përmirësimin e infrastrukturës, veçanërisht asaj bujqësore, për të minimizuar rrezikun nga përmbytjet.

 

Demo paralajmëroi edhe standardizimin e Policive Bashkiake, duke nisur nga unifikimi i standardeve të funksionimit dhe deri te rekrutimi, i cili do të jetë i njëjtë në të gjithë vendin. Ai theksoi gjithashtu dy nisma të rëndësishme në aspektin digjital, ofrimin e shërbimeve lokale online përmes e-Albania dhe integrimin e sistemit të menaxhimit të financave AFMIS, si hapa kyç për modernizimin e pushtetit vendor.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat