Secondary Adv

Infrastruktura digjitale shtetërore është në krizë mirëmbajtjeje, rrezikohet siguria kombëtare

Bllokimi i prokurimeve për mirëmbajtje po cenon shërbimet digjitale dhe rrit rrezikun kibernetik.

Prej javësh, bizneset po përballen me një situatë të paprecedentë të krijuar nga bllokimi i platformës selfcare të fiskalizimit, duke kërcënuar mbarëvajtjen normale të aktivitetit ekonomik. Megjithatë, dështimi i platformës së fiskalizimit duket se është vetëm maja e ajsbergut të problemeve më të thella që prekin sistemet digjitale shtetërore.

 

Sipas burimeve nga tregu, infrastruktura digjitale e institucioneve publike po përballet me një krizë të heshtur mirëmbajtjeje, e lidhur kryesisht me ankesat e përsëritura në procedurat e prokurimit të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Burimet pohojnë se një grup operatorësh ekonomikë ka krijuar një model operimi që konsiston në paraqitjen seriale të ankesave, duke bllokuar për muaj të tërë finalizimin e procedurave për mirëmbajtjen e sistemeve që ofrojnë shërbime kritike për qytetarët.

 

Institucione pa kontrata dhe shërbime të pezulluara

Si pasojë e këtyre bllokimeve, një numër i konsiderueshëm institucionesh mbeten pa kontrata mirëmbajtjeje për sistemet që menaxhojnë të dhëna sensitive të qytetarëve dhe procese administrative. Vonesat e tejzgjatura sjellin amortizim të sistemeve, rritje të nevojës për investime shtesë përtej mirëmbajtjes rutinë dhe angazhim të shtuar të operatorëve kur, pas shumë impenjimi kohor, arrijnë të lidhin kontrata.

 

Pasojat janë të drejtpërdrejta: vazhdueshmëria e shërbimeve digjitale nuk garantohet, procedurat mbeten pezull për muaj të tërë dhe e drejta e ankimit humbet funksionin e saj ligjor. Operatorët që veprojnë me kapacitete reale penalizohen, ndërsa institucionet publike mbeten të ekspozuara ndaj ndërprerjeve të shërbimeve.

 

Rreziku për sigurinë kombëtare

Sipas burimeve, një dimension i nënvlerësuar i kësaj problematike është rreziku për sigurinë kombëtare që lind nga bllokimi i qëllimshëm i procedurave të prokurimit publik. Zvarritja artificiale ose ndalimi i këtyre procedurave pengon vijimin e kontratave të mirëmbajtjes dhe zhvillimit të sistemeve digjitale publike, duke i lënë ato për periudha të gjata pa ndërhyrje teknike thelbësore.

 

Si rezultat, sistemet bëhen gjithnjë e më të ekspozuara ndaj kërcënimeve kibernetike, ndërsa çdo ditë vonesë rrit ndjeshëm rrezikun për integritetin, disponueshmërinë dhe konfidencialitetin e të dhënave dhe shërbimeve publike. Në këtë kontekst, dështimi për të garantuar vijimësinë e mirëmbajtjes së infrastrukturës digjitale publike mund të shndërrohet në një çështje të drejtpërdrejtë të sigurisë kombëtare.

 

Ankimimet dhe kuadri ligjor

Aktualisht, burimet theksojnë se nuk ekziston një mekanizëm funksional për të filtruar apo frenuar ankimet e përdorura si mjet bllokues, edhe kur ato janë të përsëritura dhe pa bazë faktike. Neni 3 i Ligjit të Prokurimit Publik përcakton parimet e konkurrencës së ndershme, proporcionalitetit dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë, parime që rrezikojnë të cenohen nga sjelljet sistematike penguese.

 

E drejta e ankimit, e garantuar nga neni 113 i Ligjit të Prokurimit Publik, mbetet një instrument thelbësor për mbrojtjen e interesave të ligjshme të operatorëve ekonomikë. Megjithatë, kur kjo e drejtë përdoret jo për mbrojtje ligjore, por për krijimin e pengesave artificiale dhe ndalimin e procedurave, burimet vlerësojnë se kemi të bëjmë me një keqpërdorim që cenon frymën dhe qëllimin e ligjit.

 

Sipas burimeve, kjo praktikë po minon gradualisht besimin në sistemin e prokurimit publik, ndaj Komisioni i Prokurimit Publik dhe Agjencia e Prokurimit Publik ftohen të mbajnë një qëndrim më të qartë dhe të vendosur ndaj keqpërdorimit të së drejtës ligjore për ankimim.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat