Secondary Adv

Prezantohet platforma për eksportet, Rama: Bizneset do mbështeten në transformim

Platforma e re synon politika më të informuara për eksportet dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për sipërmarrjen.

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me sipërmarrësit, prezantoi ExportON, një platformë e re për eksportuesit që do të masë indikatorë të ndryshëm nga aktiviteti i përditshëm i kompanive dhe lëvizjet vjetore të eksporteve, me synimin për të ndihmuar si bizneset ashtu edhe qeverinë në marrjen e vendimeve më të informuara për politikat e sektorit të eksportit.

 

Transformimi i manifakturës dhe fokusi te vlera e shtuar

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama theksoi rëndësinë e transformimit në sektorin e manifakturës, duke nënvizuar se shndërrimi i disa kompanive nga fosoneri e thjeshtë në cikël të mbyllur ka treguar se sipërmarrjet që besojnë te transformimi dhe nuk varen nga mbështetja e drejtpërdrejtë e shtetit janë ato që fitojnë. Ai theksoi se fokusi do të jetë te kompanitë që krijojnë vlerë të shtuar dhe pranojnë sfidën e transformimit, si dhe te agropërpunuesit, ku përpunimi i produkteve dhe futja e tyre në kanalet e eksportit rrit ndjeshëm vlerën e shtuar. Rama vuri në dukje se rënia e barrierave dhe procedurave ka ulur kostot, por disa çështje kërkojnë ende kohë për t’u diskutuar.

 

Kreditimi dhe Garancia Sovrane

Kryeministri u ndal edhe te ecuria e kreditimit të bizneseve përmes Garancisë Sovrane, duke theksuar se janë vendosur instrumente të rinj financiarë për eksportuesit për të ulur riskun përballë bankave, por thithja e këtyre fondeve mbetet më e ulët se pritshmëritë. Ai nënvizoi se linja e kreditimit e Bankës së Shqipërisë është pa limit, por përdorimi i fondeve të vëna në dispozicion është ende larg nivelit të dëshiruar.

 

Investimi në burimet njerëzore

Rama theksoi rëndësinë e investimeve të sipërmarrjes në burimet njerëzore, duke sjellë shembuj nga përvoja ndërkombëtare që tregojnë se kompanitë që investojnë më shumë në kapitalin njerëzor kanë performancë më të mirë afatgjatë. Sipas tij, investimi në njerëz në fillim duket si kosto, por në kohë kthehet shumëfish.

 

Ibrahimaj: eksportet dhe prodhimi vendas në qendër të modelit të ri

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi se ekonomia shqiptare ka shënuar përmirësime të qëndrueshme vitet e fundit, me rritje të PBB-së, investimeve, punësimit dhe pagave, por nënvizoi nevojën për transformimin e strukturës ekonomike drejt një modeli të bazuar në investime, eksporte dhe rritje të produktivitetit. Ajo vuri në dukje se, pavarësisht rritjes së eksporteve, struktura e tyre dominohet nga shërbimet, ndërsa eksportet e mallrave kërkojnë mbështetje më të fortë për shkak të lidhjes së drejtpërdrejtë me kapacitetin prodhues dhe industrializimin.

 

Ministrja bëri të ditur se gjatë vitit 2026 do të miratohet një politikë e re industriale për nxitjen e prodhimit vendas dhe u ndal te Programi për Nxitjen e Eksporteve, i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, i cili mbështetet në ndërgjegjësimin dhe promovimin, thjeshtimin dhe digjitalizimin e procedurave, harmonizimin e standardeve me Bashkimin Europian dhe instrumentet financiare. Ajo theksoi rolin e AIDA-s dhe platformës ExportON në rritjen e informimit të bizneseve dhe njoftoi se gjatë këtij viti do të miratohet ligji për “Made in Albania”, për ndërtimin dhe promovimin e markës kombëtare.

 

Digjitalizimi, standardet dhe financimi

Ibrahimaj nënvizoi rëndësinë e digjitalizimit të procedurave tregtare përmes krijimit të dritares së vetme unike, e cila do të ofrojë një pikë të vetme kontakti për bizneset dhe institucionet shtetërore, si dhe rolin e projekteve të Bankës Botërore për lehtësimin e tregtisë. Ajo shtoi se do të lançohet programi kombëtar për mbështetjen e biznesit në procesin e integrimit europian, me fokus në rritjen e kapaciteteve dhe financimin për arritjen e standardeve.

 

Sipas ministres, Banka e Zhvillimit do të luajë një rol kyç në financimin dhe modernizimin e industrisë shqiptare dhe në sigurimin e eksporteve, duke ulur kostot dhe riskun për bizneset. Në përfundim, ajo theksoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm me sipërmarrjen dhe garantoi se shqetësimet e bizneseve do të përkthehen në politika konkrete mbështetëse, me synimin për të rritur konkurrueshmërinë dhe aksesin në tregun e përbashkët europian.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat