Interesat e kredisë për shtëpi pësuan përsëri rënie në 2025
Normat më të ulëta të interesit mbështetën rritjen e kredisë për banesa gjatë vitit të kaluar.
Normat mesatare të interesit të kredisë për shtëpi shënuan rënie edhe gjatë vitit 2025, duke mbështetur zgjerimin e mëtejshëm të kreditimit në këtë segment. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën Lekë, në muajin nëntor 2025, ishte 4.2%, nga 4.52% që kishte qenë një vit më parë, duke shënuar rënie për të dytin vit radhazi.
Rënie ka pësuar edhe interesi mesatar i kredive për shtëpi në monedhën euro, i cili në nëntor 2025 zbriti në 5.16%, nga 5.23% që ishte regjistruar një vit më parë. Sipas vlerësimeve, kjo prirje ka ardhur si rezultat i rënies së përgjithshme të normave të interesit në tregun financiar, por edhe për shkak të konkurrencës së lartë mes bankave në tregun e kredisë për banesa.
Roli i politikës monetare
Në muajin korrik, Banka e Shqipërisë aplikoi një ulje të mëtejshme të normës bazë të interesit në nivelin 2.5%, e cila u reflektua në interesa më të ulëta për produktet financiare. Ky zhvillim u ndje veçanërisht në tregun e instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare, ku yield-et e bonove të thesarit zbritën pranë normës bazë ose edhe poshtë saj, ndërsa yield-et e titujve afatgjatë, në disa raste, prekën nivele minimale historike.
Yield-et e bonove 12-mujore, që shërbejnë si instrument benchmark për kreditimin e sektorit privat në monedhën vendase, kanë ndikuar drejtpërdrejt në uljen e normave të interesit për kreditë me interesa të ndryshueshme në Lekë. Si pasojë, interesat e kredive në monedhën vendase kanë vijuar rënien edhe gjatë vitit 2025.
Kreditimi për banesa dhe masat kufizuese
Pavarësisht masave kufizuese të vendosura nga Banka e Shqipërisë dhe që hynë në fuqi në gjysmën e dytë të vitit 2025, kredia për shtëpi shënoi përsëri rritje të shpejtë. Që prej 1 korrikut 2025, bankat janë të detyruara të respektojnë kritere më të forta për administrimin e rrezikut, përfshirë raportin e kredisë ndaj vlerës së pronës dhe raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave të huamarrësve.
Sipas këtyre rregullave, raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë është 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj është 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë. Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në Lekë është vendosur në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj kufijtë janë respektivisht 35% dhe 30%.
Rekord i ri i kredisë për banesa
Megjithatë, statistikat e 11-mujorit 2025 tregojnë se kredia për blerje banesash ka arritur një rekord të ri historik. Sektori bankar disbursoi pothuajse 59 miliardë lekë kredi për banesa, ose 24.5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vlera e portofolit të kredisë për shtëpi arriti në 240.3 miliardë lekë, në rritje me 18% me bazë vjetore.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






